Arsenali kërkon Radamel Falcaon dhe Aymeric Laporten

Klubi i Arsenalit duket nga më aktivët në merkato. “ Topçinjtë “ janë vënë në kërkim të përforcimeve për sezonin e ardhshëm. Shumë emra janë përmendur si objektiva të klubit londinez, duke filluar nga Benzema e Di Maria dhe deri tek Mario Balotelli ndërkohë që sot një tjetër yll është nën shënjestrën e anglezëve, ai është kolumbiani i Monacos Radamel Falcao.

Mediat britanike raportojnë se Arsene Wenger prej kohësh e vlerëson sulmuesin dhe tashmë po mendon seriozisht që ta sjellë atë në “ Emirates Stadium “Spekulohet se Arsenali është gati ti ofrojë francezëve të njëjtën shumë që këta të fundit i paguan vjet Atleticos së Madridit për ta transferuar Falcao-n në Montecarlo, më saktë oferta e “ Topçinjve “ për 28 vjeçarin mund të jetë 60 milion euro.Kolumbiani nuk duket i lumtur në klubin e Principatës dhe për këtë mund të jetë edhe vetë ai që mund ti kërkojë drejtuesve të Monacos largimin, nëse diçka e tillë ndodh atëherë rruga për të mbërritur tek Falcao do të ishte akoma më e thjeshtë për klubin londinez.

Mësohet gjithashtu nga mediat angleze se Arsene Wenger pëlqen shumë futbollistin e Athletic Bilbaos, Aymeric Laporte. Talenti francez ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë me Bilabon dhe për këtë është kthyer në objektiv të shumë klubeve europiane, me në krye Barcelonën. Vermaelen me shumë mundësi do të largohet nga Arsenali dhe Wenger sheh tek 20 vjeçari Laporte zëvendësuesin më të mirë të mundshëm të qendër mbrojtësit 28 vjeçar. Shifra që klubi anglez është gati të kalojë në llogaritë e klubit bask nuk është pak 36 milion euro.

Me sa kuptohet klubi londinez po kërkon që pas shumë kohësh të jetë në gjendje të luftojë për titullin kampion në Premier League.