Milan marrëveshje me Drogba, pritet zyrtarizimi
Milan duket se ka mundur Juventusin për sa i takon merkatos së ardhshme pasi janë më pranë ish sulmuesit të Chelsit.Didier Drogba pritet të jetë "goditja" e madhe e Milanit në merkaton e Janarit. Klubi italian ka nisur prej javësh tratativat, ndërsa është shumë pranë zyrtarizimit të sulmuesit nga Bregu i Fildishtë. Lajmi konfirmohet nga mediat italiane. Sipas tyre Milani pret vetëm firmën, ndërsa transferimi do të konfirmohet në ditët e para të vitit të ardhshëm. Në pritje të mbylljes së këtij operacioni kanë dalë edhe detajet e para të kontratës. Didier Drogba do të firmosë një kontratë 1-vjeçare nga e cila do të përfitojë rreth 3 milionë Euro. Sulmuesi afrikan shihet si përforcimi më i rëndësishëm i Milanit në merkaton e Janarit, ku emrat e mëdhenj mungojnë, por situata e Drogba është e ndryshme. Pas largimit nga Chelsea si kampion i Europës, futbollisti u transferua në kampionatin kinez, ku nuk arriti të ambjentohej asnjëherë. Në këtë mënyrë, ai vjen në Seria A me parametra zero, ndërsa mund të luajë në Ligën e Kampioneve, një kompeticion ku Milani kërkon të ecë sa më shumë, megjithëse duhet të kalojë një pengesë të vështirë si Barcelona. Pikërisht vështirsia për të kaluar katalanasit në këtë kompeticion ka bërë që drejtuesit e Milanit të bëjnë maksimumin për të marrë në skuadër sulmuesin që udhëhoqi skuadrën e Chelsit drejt titullit Kampion Europe për skuadra. Po ashtu, Didier Drogba do të plotësojë në sulmin milanist hapësirën që do të lihet bosh nga largimi i dy brazilianëve Pato e Robinho.