David Villa nuk largohet nga Spanja
Sulmuesi i Barcelonës David Villa nuk do të largohet nga skuadra e Barcelonës edhe pse interesimet per të blerë kartonin e Iberikut janë të shumta. Lajmin e ka konfirmuar drejtori sportiv i katalanasve Andoni Zubizarreta. Ky i fundit ka deklaruar se për bomberin Spanjoll ka patur interesime nga skuadra si Juventus dhe Arsenal që prej kohësh kanë kërkuar shërbimet e sulmuesit. Gjatë një interviste për të përditshmen sportive "Marca" Zubizarreta ka deklaruar se: "Ne nuk dëshirojmë që ai të lërë skuadrën tonë. Unë e kam bërë të ditur edhe më përpara se Villa është një lojtar i rëndësishëm për skuadrën tonë dhe se nuk do ta lejojmë që ai të largohet. Tani që është rekuperuar po arrinë formën e tij më të mirë dhe po jep kontributin e tij të çmuar." Ndërsa në lidhje me aktivizimin e tij të pakët te skuadra e Barcelonës drejtori sportiv është shprehur: “David ka ardhur nga një dëmtim i rëndë që e ka lënë për një kohë të gjatë larg fushave dhe ne jemi të kujdesshëm për aktivizimin e tij pasi nuk duam ta sforcojmë. Ai po punon shumë për të arritur formën e tij më të mirë dhe kur ta ketë arritur këtë atëherë do të jetë si në fillim, një lojtar i padiskutueshëm në formacion. Golat e tij na kanë ndihmuar shpesh herë të arrijmë fitore dhe kjo është arsye përse ne nuk dëshirojmë që ai të largohet pasi është shumë i rëndësishëm” ka përfunduar drejtori sportiv i Katalanasve duke larguar çdo mundësi të një largimi të mundshëm të Villës nga Katalunja.