Cristiano Ronaldo mund të rrezikoj botërorin
Lajmin e bëjnë të ditur mediat spanjolle, Cristiano Ronaldo rrezikon të mos luaj në kupën e botës. Mediat iberike raportojnë se portugezi vuan akoma nga dëmtimi në tendinat e gjurit të tij të majtë që pësoi në fillim të muajit Maj. Me sa duket nuk ka qënë lodhja muskulore ashtu si u deklarua zyrtarisht por gjuri i majtë që e la jashtë Ronaldo-n në takimet e fundit të La Liga-s.
Mediat spanjolle raportojnë se alarmin e ka lëshuar stafi mjekësor i kombëtares portugeze, të cilët kanë vënë re një inflamacion në gjurin e majtë të yllit nga Madeira. Sipas mjekëve të përfaqësuese luzitane ky dëmtim ka ardhur nga numri i madh i takimeve që Ronaldo ka zhvilluar këtë sezon me Realin e Madridit. Trajneri i Portugalisë para pak ditësh u shpreh i sigurt se Cristiano do të jetë në maksimumin e formës së tij, por me sa duket jo vetëm që 29 vjeçari do ta ketë të vështirë të arrijë në gjendjen e tij optimale por mund të rrezikoj edhe pjesëmarrjen në këtë kompeticion madhor.
Tendinopatia është diçka mjaft shqetësuese për një lojtar të kalibrit të Ronaldos , i cili ne çdo moment duhet të jetë i aftë të udhëheqë skuadrën e tij. Nga ana tjetër përveç Portugalisë të shqetësuar për këtë situatë janë edhe tek klubi i Realit të Madridit.
Nëse Cristiano vendos të marrë pjesë në Botëror atëherë gjëndja e tij mund të përkeqësohet dhe të kërkojë një periudhë të gjatë rikuperimi pas përfundimit të kompeticionit. Për momentin flitet vetëm për një shqetësim dhe është përjashtuar dëmtimi në ligamente por kampionati botëror është një kompeticion i cili luhet me intensitetin më të lartë të mundshëm dhe nuk dihet nëse Ronaldo mund ta përballojë nëse gjuri i tij majtë nuk është në kondicionin e duhur.
E sigurt është se nëse i mbetet fituesit të topit të artë të vendose ai pa diskutim që nuk do të heqë dorë nga botërori, pa marrë parasysh nëse diçka e tillë mund ti kushtojë në përfundim të kupës së botës qëndrimin për disa muaj jashtë fushave.