Shpërndahen protestuesit në Shkup, SHBA: Stop konfrontimeve
Kanë përfunduar protestat e opozitës dhe përkrahësve të pushtetit pranë Parlamentit të Maqedonisë.Të parët u shpërndanë përkrahësit e opozitës pas fjalimit të liderit Branko Cërvenkovski, i cili bëri thirrje për protesta dhe padëgjueshmëri qytetare kundër qeverisjes aktuale, për shkak të suspendimit të demokracisë dhe kushtetutës, pas miratimit të projekt – buxhetit 2013.Ndërkohë, më pas janë shpërndarë edhe pëkrahësit e pozitës, të cilët në mënyrë të qetë janë shpërndarë rrugëve të kryeqytetit. Gjatë shpërndarjes së tyre ka mbretëruar situatë e tendosur, për shkak të mundësisë së konfrontimit të dyja palëve protestuese. Forca të mëdha policore kanë ndjekur situatën pas protestave dhe evitimin e incidenteve të provokuara. Njësite speciale policore vazhdojnë të qëndrojnë pranë Parlamentit, duke shtuar masat e sigurisë.Ndërkaq Ambasada e SHBA-ve në Shkup ka reaguar lidhur me tensionet e krijuara në Maqedoni dhe protestat e sotme lidhur me projekt-buxhetin 2013.“I kemi ndjekur me kujdes dhe dëshpërim konfrontimet politike në dhe jashtë ndërtesës të Kuvendit dy ditët e fundit, dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve të ndalojnë çfarëdo veprime provokative. Shprehja e mendimeve të ndryshme në mënyrë të qetë është bazë për një vend të fuqishëm dhe demokratik, ndërsa përdorimi i dhunës nga cilado palë e involvuar, e dëmton sistemin dhe aftësinë e tij për të qeverisur në mënyrë të përgjegjshme”, theksohet në komunikatën e ambasadës amerikane.Sipas tyre, Shtetet e Bashkuara nxisin liderët e të gjitha partive politike dhe mbështetësit e tyre të shmangin konfrontimet.