Opozita thirrje për padëgjueshmëri qytetare: Gruevski sikur Millosheviçi

Lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski ka paralajmëruar se prej nesër fillon padëgjueshmëria e përgjithshme qytetare në Maqedoni.Ai theksoi se prej sot Maqedonia nuk ka Kushtetutë, demokraci, Parlament, Qeveri si dhe vendi ka fituar Sllobodan Millosheviçin e tij.“Kjo ditë do të mbahet mend edhe si ditë tragjike, por edhe ditë e madhe. Prej sot në Maqedoni ka një regjim diktatorial në njërën anë dhe në anën tjetër populli. Gruevski sot e bëri hapin e tij fatkeq. Ai prej sot vendosi dhe Maqedonia e ka Sllobodan Millosheviqin e saj. U rrahën gazetarë, deputetë dhe populli. Ata sot tentuan të shkaktojnë përleshje dhe gjakderdhje”, deklaroi lideri i Lidhjes Social demokrate të Maqedonisë dhe bllokut opozitar maqedonas, Branko Cërvenkovski, në një fjalim të mbajtur para turmave të protestuesve para Parlamentit.Ndërkaq ai i ka bërë apel kryeministrit Nikolla Gruevski se nëse do të bëhet si Millosheviçi, ai do të përballet me 5 tetorin e tij, dita kur ra ish-diktatori serb në vitin 2000.“Prej sot nuk ka Parlament dhe deputetët tanë nuk janë atje. Prej sot është ditë e madhe, andaj rrugën e kemi të pastër. E dijmë se me kë kemi punë. Prej nesër fillon padëgjueshmëria e përgjithshme qytetare. Për lirinë, demokracinë dhe Maqedoninë më të mirë”, deklaroi Cërvenkovski, duke theksuar se prej nesër do të rrugëtojnë deri në fund dhe nuk ka kthim.Pas këtij fjalimi të tij, turmat e protestuesve të opozitës janë shpërndarë, ndërsa para Parlamentit kanë mbetur vetëm përkrahësit e partisë në pushtet VMRO-DPMNE.