Koshtunica: Kosova krahinë brenda Serbisë
Kryetari i Partisë Demokratike në Serbi Vojsllav Koshtunica ka deklaruar se do të jetë pro platformës për Kosovën nëse në të thuhet që Kosova të bëhet një “krahinë” në kuadër të shtetit të Serbisë.“Ne kemi rënë dakort që në platformë të adaptohet edhe një dispozitë e Kuvendit të Serbisë e cila parashikon për Kosovën dhe Metohinë edhe me kushtetutë “autonomi substanciale”. Në këtë mënyrë ne do të mbështesim miratimin e platformës”, ka deklaruar Koshtunica, për mediat serbe.Platforma e Serbisë për Kosovën është paraqitur në mbarë opinionin publik serb si punë thuajse e kryer dhe duket se pritet vetëm zbatimi i saj.Serbia do të kërkojë që të ketë një status të veçantë autonomie për të gjitha komunat serbe, jo vetëm për ato të veriut, por për qytetet dhe fshatrat në jug të Kosovës, lidhje speciale dhe kompetenca në edukim, kulturë, energjetikë e siguri.Ndërkaq, është interesant fakti që Serbia kërkon që për sigurinë e serbëve të përkujdeset Ushtria e Serbisë, ndërkombëtarët dhe Ushtria e Shqipërisë. Këtu Kosova duket se nuk ka asnjë punë.Gjithashtu, serbët duhet të kenë një gjykatë të shkallës së parë dhe një kuvend, por në asnjë moment nuk përmendet nëse Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndonëse të drejtat kërkohen për serbët dhe nuk është ofertë për autonomi të shqiptarëve.Ndërkohë, nga Prishtina zyrtare në ditët e fundit është deklaruar se platforma serbe nuk do të pranohet asnjëherë dhe se nuk do të ketë as ndarje e as autonomi për veriun.