Ambasadorja gjermane: Shqipëria ka ende shanse për statusin

Shqipëria ka të gjitha mundësitë për të marrë statusin e vendit kandidat. Në një deklaratë për mediat ambasadorja gjermane Karola Myler Holtkemper u shpreh se kushti për marrjen e statusit janë miratimi i tre ligjeve. Sipas diplomates gjermane edhe pse e humbi një mundësi Shqipëria duhet të vijojë me reformat e kërkuara nga BE.“Shqipëria e humbi një shans në fund të këtij viti por gjithsesi nuk është gjithcka e humbur. Vendi juaj do të marrë statusin e vendit kandidat nëse miratohen 3 ligjet e kërkuara nga BE, pasi kërkohet realizimi i reformave në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria i ka të gjitha shanset të ecë përpara në udhën e integrimit europian”deklaroi ajo.Kjo deklaratë e Ambasadores gjermane erdhi në një aktivitet me temë: "Sfidat e Diplomacisë Publike në epokën dixhitale", ku solli shembullin e Gjermanisë në dixhitalizimin e diplomacisë. I pranishëm në këtë konferencë ka qenë edhe Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, që deklaroi se institucioni që ai drejton është zhvendosur nga propaganda në konkretizimin e çështjeve.