Rama me ish-ushtarakët: Së bashku të rivendosim rendin publik
Kryetari i PS, Edi Rama ka kritikuar institucionet shtetërore se i kanë lënë në harresë ish-ushtarakët dhe ka i ka ftuar ata që në zgjedhjet e ardhshme të bëjnë ndryshimin. Gjatë një takimi që pati me një grup ushtarakësh në lirim, Rama trajtoi problematikën që prek këtë kategori, duke shpalosur edhe programin e PS për të adresuar problemet e tyre.“Sigurisht, që ju keni shumë shqetësime. E, pa dyshim, që janë shqetësime që mund të adresohen vetëm duke ndryshuar qeverinë, duke ndryshuar qeverisjen, duke pasur një qasje të re dhe një vullnet të ri. Jeni në moshë aktive me një karrierë përgjithësisht të ndërprerë në mënyrë të padrejtë për shkak të politikës, për shkak të qëllimeve politike të mbrapshta të një qeverie, e cila ju ka larguar nga puna jo mbi bazën e meritës, por mbi bazën e disa parimeve që nuk kanë të bëjnë me shtetin ligjor. Prandaj unë besoj, që në respektin tuaj, sot është shumë me rëndësi që të flasim më shumë se sa thjesht ato probleme që ne bashkërisht i dimë, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të sotmen tuaj” tha ai.Numri një i selisë rozë ka ngritur shqetësimin edhe me sigurinë në vend, duke e krahasuar atë me sigurinë në ’97. Kreu i PS ka këmbëngulur se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe burimet njerëzore për të vendosur rendin në standardet e duhura, por ajo që mungon është vullneti i qeverisë.“Sot njerëzit kanë problem themelor sigurinë. Mediat përcjellin çdo ditë lajme me përmbajtje shpeshherë tepër të rëndë. Por ju e dini shumë mirë që siguria nuk është vetëm një çështje që lidhet me sa u vranë, sa u plagosën, apo sa u vodhën. Por, është një çështje që lidhet me gjendjen e përgjithshme psikologjike të shoqërisë dhe sot kjo qeveri ka humbur sfidën e rendit dhe sigurisë. Ka humbur sigurinë dhe e përjeton këtë humbje sigurie kudo. Kjo është pasoja e një politike tërësisht të verbër në raport me institucionet e sigurisë, institucionet e rendit publik. Humbja në mënyrë të vazhdueshme, dhe besoj edhe kundër çdo interesi kombëtar e publik, e nivelit të profesionalizmit në polici nuk ka se si të mos sjellë këtë pasojë. Pra, e para, që ne besoj duhet të ndajmë bashkërisht është domosdoshmëria për të rivendosur meritën në gjithë strukturën e Policisë së Shtetit, dhe sigurisht edhe në të të gjitha strukturat e sigurisë. Sepse kemi një problem të humbjes së çdo vlere të bazuar mbi konkurrencën, mbi meritën, mbi profesionalizmin, dhe të gjitha të tjerat, edhe në ushtri. Vendosja e meritës në themel të qasjes sonë ndaj strukturave të sotme dhe të nesërme të sigurisë, besoj është një gur themelor për të rindërtuar besimin dhe për të rikthyer sigurinë. Së dyti, pa asnjë dyshim të gjithë ata profesionistë në polici dhe gjetkë në administratën publike, që janë larguar forcërisht me përdhunë nga vendi i tyre i punës dhe që kanë fituar me gjyq të drejtën për t’u rikthyer në punë, do rikthehen në punë. Do rikthehen në punë mbi bazën e një të drejte të sanksionuar me ligj dhe me gjyq. Por, më e rëndësishme akoma është që i gjithë ky proces duhet të jetë një proces që na jep mundësinë të kapërcejmë nga një epokë në një tjetër” theksoi Rama.Edhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i pranishëm në takim, ka ftuar ish-ushtarakët që të votojnë për një Shqipëri më të mirë.