Buxheti i 2013-ës votohet nen për nen në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë po shqyrton nen për nen dhe në tërësi buxhetin e vitit 2013.Partia Socialiste ka paraqitur sot disa propozime për projektbuxhetin e vitit 2013, por propozimet e opozitës është rrëzuar nga mazhoranca e cila votoi me 72 vota kundër këtij propozimi.Deputetja e PS-së Mimi Kodheli është shprehur se neni 9 i projektbuxhetit i jep të drejtë qeverisë të administrojë të ardhurat nga privatizimi i Albpetrolit pa marrë më parë një miratim nga Kuvendi."Ne jemi kundër nenit 9 të projektbuxhetit ku janë të përfshira edhe të ardhurat nga privatizimi I Albpetrolit. Këto para përbëjnë 10 përqind të GDP dhe s`mund të përdoren nga kryeministri pa marrë miratimin e parlamentit. Kjo për opozitën është anti-kushtetuese. Qeveria nuk i ka të vetat paratë dhe paratë e privatizimeve janë të qytetarëve dhe është detyrimi i kësaj qeveria të marrë miratimin në Kuvend. Eksperienca na mëson se djalli fshihet pas detajeve këto, prandaj themi që këto të ardhura do shkojnë për asfalt e makijazh elektoral, nuk do ulin varfërinë për aq kohë sa neni 9 do vazhdojë të jetë i shkruar sic është”, tha Kodheli duke shtuar se duhet një plan i ri buxhetor për përdorimin e të ardhurave.Ndërsa ministri i Financave Ridvan Bode shtoi se ky nen është hartuar në bazë të një standardi të përdorur edhe më parë.  “Formulimi në nenin 9 është standard i përdorur edhe nga qeveritë e majta dhe të djathta. Paratë e privatizimeve përdoren nga qeveria për rritjen e investimeve publike dhe për uljen e borxhit. Ato që propozon opozita janë pjesë e këtij neni”, tha ministri Bode.Ndërkohë më herët deputeti socialist Arben Malaj ka deklaruar se maxhoranca po shkel Kushtetutën. “Në raport me të ardhurat kemi përkeqësim të deficitit. E drejta për të ndryshuar buxhetin eshte vetëm e Parlamentit.” tha Malaj.Por sipas ministrit Bode, buxheti i 2013-ës është tërësisht kushtetues dhe i ligjshëm.