Rama me fermerët e Lushnjës, premton masa lehtësuese për prodhimet
“Po vazhdoi kështu ne u mbytëm fare”. Ky ka qenë alarmi i lëshuar i një prej tregtarëve në një prej tregjeve të shitjes me shumicë në Lushnjë, që ka dëgjuar Kryetari i PS, Edi Rama, gjatë takimeve që ai ka zhvilluar në këtë qytet. Një grup tregtarësh i treguan Kryesocilistit për rënien dramatike të fuqisë blerëse, të cilës i bashkohen edhe çmimet e larta të naftës, të plehrave kimike, dhe në përgjithësi të të gjithë inputeve bujqësore.I drejtpërdrejtë në komunikimin me bujqit, Kryetari i PS, Edi Rama është angazhuar për zgjidhje të shpejtë të kësaj situate dramatike. Ai u ka prezantuar atyre një plan emergjent me 5 pika për Rilindjen e fshatit, që janë dhe pika të Programit për një Rilindje Shqiptare:“Ne duam që e para ta pesëfishojmë financimin për bujqësinë. E dyta, ta garantojmë ujitjen sepse aty fillon problemi. Mungesa e sistemit të ujitjes dhe të kullimit është problem. E treta, naftën me patjetër të heqim akcizën, të heqim taksën e qarkullimit. E katërta, ta heqim TVSH-në e plehrave, ta reduktojmë TVSH-në e farërave. Dhe e pesta, të garantojmë tregun po ta rajonalizojmë prodhimin, se ndryshe nuk bëhet”.Për kreun e Partisë Socialiste kjo qeveri po e lë më keq se ç’e gjeti fshatin shqiptar.“Sot fshati është tërësisht i braktisur dhe vuan mungesën e ujit, kostot marramendëse të prodhimit, pamundësinë e daljes së produkteve në treg. Sot, vetëm 3% e familjeve që merren me bujqësi në fshat përfitojnë nga financimi publik. Partia Socialiste angazhohet ta rilindë fshatin përmes planit me 5 pika” u shpreh Rama.