Ndërtimet informale, Këshilli i Ministrave miraton shpërblimin e pronarëve

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shpërblimin e pronarëve, trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale, të kualifikuara për legalizim, i propozuar nga ministri i Punëve Publike dhe Transporti.Vendimi përcakton shpërblimin e pronarëve të ligjshëm në qarqet e Durrësit, Elbasanit, Fierit, Kukësit, Shkodrës, Tiranës dhe Vlorës, me sipërfaqe prej 61 242 metra katror truall.Masa e shpërblimit, e përcaktuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave sipas metodikës për vlerësimin e pronës së paluajtshme që kompensohet sipas ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", ka vlerë të përgjithshme 801 132 560 lekë.Ndërkaq Kryeministri Berisha tha sot, në mbledhjen e qeverisë, se është e nevojshme të rishihet menaxhimi i trafikut rrugor në qytetet e mëdha nëpërmjet një skeme të re administrimi. Kjo masë, tha Kryeministri, synon të rrisë efikasitetin në menaxhimin e qarkullimit rrugor brenda qyteteve.Kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Brendshëm të nisë punën për hartimin e kuadrit ligjor për decentralizimin e trafikut në qytete të mëdha, duke ia kaluar në përgjegjësi bashkive të kategorisë së parë.