Plani i Tiranës, Basha konsultohet me ndërtuesit: Plani u mbyll rrugën sekserëve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zhvilloi sot konsultime me përfaqësuesit e shoqatave të ndërtimit dhe të biznesit, në lidhje me planin e zhvillimit urban të qytetit. Duke vlerësuar punën e grupit të punës për hartimin e draftit në një kohë rekord, Basha tha se plani i zhvillimit të qytetit garanton transparencë dhe parashikueshmëri për të ardhmen.Kryebashkiaku tha se ndërtuesit janë dhe duhet të jenë lokomotiva e zhvillimit të vendit, prandaj është e qenësishme pasja e një plani zhvillimi që të garantojë interesat e tyre, por që të garantojë dhe harmoni të plotë me interesat e qytetarëve dhe qytetit në përgjithësi.“Është gjithçka në dorën tonë, në mënyrën se si e trajtojmë këtë sfidë, që në fakt është edhe një mundësi e madhe, dhe për këtë arsye, para se ne ta çojmë këtë plan urbanistik për miratim, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak më datë 24 dhjetor dhe paralelisht me konsultimet që janë bërë deri tani, me grupet e tjera të interesit, dhe në veçanti me qytetarët e Tiranës, e gjykoj të arsyeshme që së bashku edhe me profesionistët e tjerë, arkitektët, shoqatën e arkitektëve dhe gjithë profesionistët e tjerë, të marrim mendimin tuaj mbi parimet kryesore në të cilat mbështetet ky plan” tha ai.“Në një analizë të shkurtër të asaj se çfarë ka ndodhur vitet e fundit në Tiranë, Basha vlerësoi se shtimi i popullsisë dhe ndërtimi pa kriter kanë bërë që Tirana të humbasë disa asete të saj, siç është gjelbërimi, hapësirat publike, infrastruktura rrugore dhe sociale. Për këtë arsye, plani i zhvillimit të qytetit parashikon rritjen e këtyre hapësirave, për t’iu afruar standardeve evropiane.Për fat të keq, zhvillimi i qëndrueshëm është diçka që nuk ka ndodhur, pasi të gjithë jemi dëshmitarë se si rezultat i dy presioneve, shtimit të popullsisë në Tiranë dhe ndërtimit pa kriter, qyteti ka humbur disa nga potencialet e tij, veçanërisht në fushën e gjelbërimit, hapësirave rekreative, infrastrukturës së mjaftueshme për të akomoduar këtë situatë aktuale banorësh rezidentë dhe qytetarësh që hyjnë e dalin në mënyrë të përditshme dhe gjithë derivateve të trafikut etj, etj. Pikërisht për këtë arsye, ky plan ka në thelb dhe në themel harmonizimin e plotë të interesave, interesave afatshkurtra dhe afatgjata, të atyre që kanë të bëjnë me pronarët e sotëm dhe që kanë të bëjnë me banorët e këtij qyteti që s’kanë lindur akoma, të atyre që kanë të bëjnë me zhvillimin si një domosdoshmëri, si diçka e natyrshme dhe e interesave, të ruajtjes, të rezervimit të hapësirave të gjelbra, të përbashkëta të trashëgimisë historike që ky qytet mbart e shumë e shumë veçorive të tjera që kanë nevojë për konservim”deklaroi Kryebashkiaku Basha.Ekspertët e grupit teknik kanë shpjeguar më tej në mënyrë më të detajuar përpara ndërtuesve dhe biznesmenëve, se si do të zhvillohet Tirana në të ardhmen dhe cilat do të jenë mundësitë që ofrohen.Kryetari i shoqatës së ndërtuesve të Tiranës, Avenir Kika ka vlerësuar bashkëpunimin me Bashkinë dhe përfshirjen e tyre, që në hapat e parë të hartimit të draftit. Z.Kika çmoi në veçanti transparencën e treguar dhe rëndësinë që ka plani, për zhvillimin e biznesit.Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka u shpreh se partneriteti që ka gjetur Dhoma me Bashkinë i shërben zhvillimit të biznesit dhe qytetit në tërësi.Pas konsultimeve me banorët e Tiranës në 11 njësitë vendore, ky i sotmi me grupet e interesit ishte dhe konsultimi i fundit, përpara se plani i zhvillimit të paraqitet për miratim në Këshillim Bashkiak, në datën 24 dhjetor të këtij viti.