Mandatet, PS dorëzon kërkesën për komision hetimor për Kukësin
Partia Socialiste kërkon ngritjen e një komisioni parlamentar për të hetuar veprimtarinë e organeve shtetërore mbi lëvizjen e popullsisë në disa njësi vendore të qarkut Kukës gjatë periudhës qershor-nëntor 2012.35 deputetë socialistë kanë firmosur një kërkesë drejtuar Kryetares së Kuvendit për ngritjen e një Komisioni Parlamentar Hetimor të cilën e kanë dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit.Sipas deputetëve socialistë objekti i punës së këtij komisioni do të jetë kontrolli i veprimtarisë së organeve shtetërore të ngarkuara për zbatimin e legjislacionit për gjendjen civile, konkretisht Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe strukturat e deleguara në njësitë vendore përkatëse (zyrat e gjendjes civile).Po ashtu kërkohet të hetohen shkaqet që mund të kenë çuar në shkelje të ligjit, me qellim nxjerrjen e përgjegjësive konkrete institucionale dhe organizative, dhe adresimin e tyre në mënyrë përfundimtare me anë të rekomandimeve përkatëse për Kuvendin e Shqipërisë.Kërkesa e nënshkruar nga deputetët socialistë është bazuar në Nenin 77 pika 2 të Kushtetutës, nenet 3 dhe 5 të Ligjit Nr. 8891, datë 02.05.2002, për "Organizimin dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit" si dhe nenit 25 të Rregullores së Kuvendit.