Manjani debat në “Facebook”: LSI do mbështesë rezolutën çame

LSI do të mbështesë pa asnjë diskutim rezolutën came. Kështu ka deklaruar nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ylli Manjani gjatë debatit me pyetje-përgjigje në kohë reale në rrjetin social “Facebook”.“Nuk kam asnjë dyshim që po. Nuk ka asnjë arsye që të mos e mbështesim. Rezolutë nuk është problemi thjeshtë i çështjes çame, ajo rezolutë ka diçka të drejtë në thelb, që ka të bëjë më çështjen e të drejtave të njeriut, por ka të bëjë edhe me një çështje ndërshtetërore, ka mbetur si një rendiment pa vlerë. E vërteta është që ne kemi qenë dhe jemi të interesuar për fqinjësi të mirë në radhë të parë; fqinjësi të mirë që do të thotë kur t’i shkon mirë me fqinjin, edhe qytetarët e tu janë mirë teorikisht, sepse gjërat nuk janë asnjëherë absolute. Por kur fqinjësia prishet sigurisht që krijon dhe problemet e veta, por e mira është që ne të krijojmë një kohezion edhe me partitë e tjera, edhe me çështjet themelore siç janë shoqëritë e të drejtave të njeriut, pa dashur t’i japim një konotacion apo ngarkesa nga e shkuara”, u shpreh Ylli Manjani lidhur me këtë çështje.Manjani foli edhe për projekt-buxhetin e vitit 2013 ku ka shpjeguar edhe qëndrimin e deputetit të qarkut të Beratit Nasip Naço në Parlament, duke e mbështetur në pretendimet e tij dhe duke garantuar pa asnjë diskutim se nëse do të ishte deputet do të votonte kundër pa as më të voglin diskutim.“Edhe unë po të isha deputet do të votoja kundër pa as më të voglin diskutim. Për një arsye fare të thjeshtë dhe kjo është një nga sfidat që LSI do ta ketë pjesë të angazhimeve të saj politike dhe elektorale në vijim. Absolutisht çdo qendër qarku duhet të lidhet me rrugë dinjitoze me akset kryesore rrugore. Çdo qendër qarku duhet të ketë akses dinjitoz me akset kryesore të ndërtuara. Berati nuk e ka. Dibra nuk e ka. Të jeni të bindur që LSI-ja nuk është në past-tens është në prezent-tens. Të jeni të bindur që të gjitha këto janë adresuar, por edhe mundësitë janë në kufizim, sepse viti që vjen është një vit i vështirë, në kuptimin e investimeve. Kështu që, këtu e shtrojmë debatin. Nuk është çështje vullneti, nuk është çështje parash. Megjithatë, vota kundër justifikohet qoftë edhe në formë proteste, sepse në Berat nuk është më ideja që thjesht jetojnë njerëz, por jetojnë fisnikë, jetojnë pasardhësit e 2 mijë viteve qytetërim dhe është qyteti më i vjetër paraprakisht, jo vetëm nga pikëpamja historike por edhe arkeologjike, edhe kulturore, edhe turistike. Duhet të ishte simboli, krenaria jonë, pa as më të voglin diskutim. Dhe të na shkasin gjërat duke çuar disa fonde për disa rrugë sekondare, të cilat duhen bërë pa as më të voglin diskutim. Por, pa garantuar më parë që qendrat e qarqeve të lidhen me akset kryesore rrugore, kjo nuk është e drejtë. Të jemi të bindur se me këto gjëra nuk fitojmë vota. Nuk rezulton ashtu të paktën nga të dhënat elektorale. Duhet të kuptojmë një gjë, që ne jemi për të bërë një detyrë politike. Kemi marrë një mandat politik. Zoti Naço është votuar në qarkun e Beratit. Është deputeti më solid. Nëse në partitë e mëdha ka jabanxhinj në listat e tyre, z. Naço është autokton aty, e di mirë se ç’është qarku i Beratit, e di mirë se si dhe ku duhet ndërhyrë dhe kur sheh që asgjë ose pak gjë është planifikuar apo po bëhet, sigurisht që është në të drejtën e tij legjitime në emër të atyre qytetarëve 2 mijë vjeçarë”, tha ai.Ndërkohë që i pyetur a do ta mbështesë LSI propozimin e kryeministrit Berisha, për thyerjen e borxhit publik, Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se logjika e borxhit është një logjik tjetër, sigurisht është brenda një logjike të caktuar ekonomike. Sipas tij borxhi do duhet të garantohet me rritje ekonomike.