Refuzimi i statusit, PDIU kërkon tryezë partish për zgjidhjen e ngërçit
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shpreh keqardhjen më të madhe që për shkak të kapriçove politike, Shqipëria edhe këtë herë nuk mundi të nisi rrugën e saj zyrtare, për të qenë pjesë e Europës. Në një deklaratë për mediat, PDIU thekson se me gjithë mbështetjen e dhënë nga faktori ndërkombëtar, janë mosmarrëveshjet e brendshme, ato të cilat kanë frenuar rrugën europiane të Shqipërisë.“Ky lajm i keq vjen pikërisht në kohën kur 22 vjet më parë mijëra të rinj shqiptar rrëzuan komunizimin me ëndrrën e madhe për ta parë Shqipërinë si gjithë Europa. Por kjo ëndërr ende nuk po realizohet. PDIU ribën dhe një herë thirrjen e saj, tashmë të njohur prej muajsh, për mbledhjen e një tryeze të të gjithë partive politike, për të arritur në një zgjidhje të këtij ngërçi të krijuar, në mënyrë që shqiptarët të jenë të barabartë përkrah të gjithë shteteve të tjera, aty ku realisht e kanë vendin.Mosplotësimi i 3 kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, solli që Komisioni Europian të heshti për Shqipërinë duke e lënë “topin në fushën tonë”thuhet në deklaratën e PDIU-së.PDIU i mëshon faktit se tashmë u takon politikanëve, si përfaqësues të zgjedhur të popullit, që të tregojmë se mbi gjithçka tjetër, duhet të vendosin Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.“Si 100 vite më parë, duhet t’i tregojmë të gjithë kombit tonë dhe botës se ky vend ka njerëz të aftë që mendojnë dhe punojnë për të mirën e këtij vendi” deklaron PDIU.Duke iu referuar vargjeve të të madhit Pashko Vasa se : “për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon”, PDIU shprehet se le të shërbejë pikërisht ky mesazh i këtyre rreshtave për të treguar dhe një herë lidhjen shpirtërore dhe historike me Europën, jo vetëm atë gjeografike.