Humbja e statusit, Bushati: Me zgjedhje të lira mund ta marrim brenda 2013

Nëse Shqipëria arrin të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme do të arrijë të marrë statusin e vendit kandidat në BE brenda vitit të ardhshëm. Kështu ka deklaruar në RTV Ora News deputeti i Partisë Socialiste Ditmir Bushati në një kohë kur Shqipëria është në minutat e fundit të nënshkrimit zyrtar të dështimit për të tretën herë radhazi në përpjekjet e saj për tu bërë pjesë e familjes së madhe europiane. Me drejtorin e Informacionit, Patrik Sadikaj, Bushati ka përjashtuar faktin se ky dështim është rezultat i bllokimit të tre ligjeve, pasi sipas tij në të gjithë raportin e KiE, janë cështje të tjera si lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, e drejta pronësore si dhe mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve europiane, të cilave u është mëshuar fort dhe për ti përmbledhur të gjitha këto në një, kemi të bëjmë me një cilësi të dobët të reformave ne vend.“Besoj se edhe në konkluzionet e KiE jo më kot paragrafi i zgjedhjeve qëndron i vecuar nga të tjerat për ti dhënë mesazh klasës politike shqiptare që duhet të jemi seriozë në këtë proces. Në rast se Shqipëria do arrijë të bëjë zgjedhje të denja për një vend anëtar të NATO-s dhe të një vendi që aspiron të marrë statusin kandidat jam i bindur se brenda vitit të ardhshëm do arrijmë të marrim statusin. Shqipëria duhet ta demostrojë me vepra jo me fjalë angazhimet që ka në këtë drejtim. E reja është paragrafi tek thirrjet nacionaliste, në rast se ka njëfushë ku është investuar në këtë vend është politika e jashtme në raport me fqinjët dhe ato shtete ku ka pakica shqiptare. Konstantja e gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë një fletë lavdërimi lidhur me këtë. Sot kemi një qëndrim të prerë të BE, ku nacionalizmi primitiv vjen në axhendë. Shqipëria ska pasur konflikte etnike, është dalluar për një tolerancë ndaj pakicave që jetojnë këtu si dhe për tolerancën fetare” tha ai.Sipas Bushati pavarësisht faktit se KE në tetor rekomandoi marrjen e statusit të kushtëzuar për Shqipërinë, si institucion ai mbetet diagnostikues pasi rol vendimarrës në këtë këtë drejtim kanë 27 vendet anëtare të KiE, e që sipas tij tradita e vendeve të tjera ka treguar se jo gjithmonë këto dy institucione kanë qenë në simfoni me njëra-tjetrën.“KE është në rolin e diagnostikuesit, 27-shja ka rol vendimarrës në këtë cështje. KE në tetor parashikoi që Shqipëria ka bërë hapa në katër pika, reformën zgjedhore, zgjedhja e Avokatit të Popullit, miratimi i ligjeve me 3/5, përmirësim i jetës parlamentare përmes pjesmarrjes së opozitës. Ndërkohë që ka cështje që janë përgjegjësi e qeverisjes që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, të drejtën pronësore. KE u bëri me dije se do tu paraqiste një raport lidhur me ecurinë e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në rast se u referohemi sot raporteve të KiE do të shohim se tre ligjet kanë pasur një vlerë relative. Ajo që publikoi "Transparency International" për korrupsionin, e që e renditi Shqipërinë të fundit në Europë tregon qartazi dhe ecurinë e reformave në Shqipëri. Është me rëndësi paragrafi për zgjedhjet që ka të bëjë me funksionimin normal të institucioneve publike në vend. Ja vlen të theksojmë edhe faktin se jo gjithmonë vendet anëtare kanë ndjekur rekomandimin e KE. Ka shtete që kanë një ndjeshmëri të madhe ndaj cështjes së të drejtës, korrupsionit, krimit e me radhë”deklaroi Bushati.Përballë dështimit të radhës, Bushati nuk mohon përgjegjësitë e opozitës në humbjen e trenit të radhës, por përgjegjësinë kryesore ia faturon mazhorancës qeverisës për mungesën e bashkëpunimit dhe njëanshmërinë në vendimarrje.“Kryeministri i ngjet një të mbyturi që kërkon të mbysë dhe Shqipërinë, është e papranueshme në vitin e 8 të qeverisjes së tij, ku emri i tij është i barabartë me PD në këto 22 vjet të mos i njohë asnjë përgjegjësi vetes, pasi së pari ka të bëjë me vullnetin e tij dhe kapacitetin financiar për të mbështetur këto reforma. Kryeministri ka një retorikë helmatiste ndaj opozitës, opozita ka përgjegjësi, jemi bashkëpërgjegjës për fatet e këtij vendi, kemi dhënë kontributin tonë, kemi bërë detyrën në këtë proces, i takon mazhorancës të krijojë një ambjent më përfshirës që do të krijonte kompromisin e nevojshëm për disa reforma themelore për të cilat Shqipëria ka nevojë dëshpirimisht. Parlamenti ka një rregullore jashtëzakonisht të mirë të votuar në 2004, libri i rregullave duhet të vendoset bashkarisht. PD në mandatin e saj të dytë e ka ndërruar 4-5 herë në mënyrë të njëanshme, edhe nëse do të revokoheshin dhe të shkonim drejt modelit të 2004, dyshoj se do të sillte një ndryshim të madh, pasi ka shumë ndryshim mes asaj që shkruhet në letër dhe asaj që zbatohet në praktikë. E njëjta gjë edhe për gjykatën e lartë dhe administrative, nuk është problem ligji në Shqipëri por zbatueshmëria e tij. A mund të ndodhë kjo brenda një nate? Unë sjam naiv ta besoj këtë, por duam disa xheste mirëkuptimi që të besojmë se këto ligje që po miratojmë do të zbatohen. Duam të bëjmë zgjedhje vendore kur skemi mbyllur akoma ato lokale, duhen disa prova që ka një besim mes palëve dhe mirëkuptim për standardin që duam ta arrijmë bashkarisht” u shpreh deputeti Bushati.Pyetjes nëse Shqipëria me një qasje të tillë politike mund të humbë vëmendjen e BE, Bushati u përgjigj:“Kjo do të ishte loja me durimin e ndërkombëtarëve, skenari më i rrezikshëm. Narrativa europiane po tenton të zëvendësohet me narrativën nacionaliste. Do ishte skenar i rrezikshëm për tu luajtur, aq më tepër që Shqipëria e ka të pazgjishëm integrimin në BE, ne jemi koshientë që BE bashkë me SHBA kanë qenë sponsor kryesorë në zhvillimet e vendit tonë. Nuk mendoj se do kemi humbje vëmendje për një vend anëtar të NATO-s, por ne duhet të fokusohemi në cilësinë e reformave, për shërbimet që do të marrim dhe së dyti koha. Një tren do të kalojë për shkak të mungesës së cilësisë së reformave, nëse problemi i vetëm do ishin tre ligjet kandidatura do të shqyrtohej sërish në takimin e Ministrave të marsit, qershorit apo të shtatorit” tha në RTV Ora News deputeti i PS Ditmir Bushati.