Dështimi me statusin, “Voto Tani” thirrje deputetëve: Votoni 3 ligjet
Lëvizja "Voto tani, vepro tani” u ka kujtuar edhe njëherë ligjvënësve të vendit misionin dhe përgjegjësinë që kanë ndaj elektoratit të tyre si përfaqësues të popullit. Në një deklaratë për mediat Lëvizja “Voto tani, vepro tani” u ka bërë thirrje edhe njëherë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të gjejnë konsensusin dhe të votojnë tre ligjet, për të hequr njëherë e mirë barrierat për integrimin europian.“Dje Komisioni i Bashkimit Europian nuk arriti të miratojë statusin kandidat për Shqipërinë. Mesazhi që sollën nuk mund të ishte më i qartë sesa në raport. "Lerini menjanë politikën vetjake dhe votoni 3 ligjet tani! Politikanët të mos mbajnë peng axhendën europiane të Shqiperisë! Të rinjtë shqiptarë para së gjithash interesohen për Europën dhe nuk merakosen per çështjet momentale të kraheve politikë. Është koha për të votuar këto 3 ligje dhe për të hequr barrierat për integrimin europian,Deputetët shqiptarë janë betuar se:"Do të përfaqësoj denjësisht popullin, ... dhe do të përpiqem me të gjitha fuqitë e mia për përparimin e Atdheut dhe mirëqenien e popullit tim."93% e shqiptarëve duan integrimin europian. Deputetët duhet të perfaqsojnë denjësisht popullin dhe të votojnë për interesat e popullit. Mos votimi i 3 ligjeve nuk është në sinkron me interesat e shqiptarëve, nuk është në sinkron me nevojat e rinisë” thuhet në deklaratë.Më tej kjo lëvizje ndërsa kujton se qysh prej 1 jave ka shpallur peticionin në internet në faqen: http://www.change.org/petitions/deputete-te-parlamentit-shqiptar-votoni-tani, ajo i fton edhe qytetarët t’i bashkangjiten kësaj nisme, për tu thënë më pas edhe deputetëve të veprojnë tani duke votuar tani.