22 vjet PD, Berisha: Me 23 qershor do thyejmë murin e bllokimit

Rilindje e dytë për gjithë shqiptarët.Të tillë e ka vlerësuar Kryeministri Sali Berisha përkujtimin e 22 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, krijimi i së cilës i hapi rrugë pluralizmit në Shqipëri dhe i dha fund dikataturës më të egër në Europë, regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Kongreseve, Berisha deklaroi se PD në themel të saj është parti e lirive, e ngjalljes së shpresave dhe realizimit të ëndrrave të qytetarëve shqiptarë.“Sot festojmë themelimin e partisë së parë opozitare në historinë e Shqipërisë. Sot ne qytetaret dhe qytetarët, demokratët dhe demokratet por dhe anëtarë të të gjitha forcave politike kremtojmë sëbashku 22 vjetorin e themelimit në vendin më monist të planetit, pluralizmin politik, njeherazi themelimin e partisë së parë opozitare në historinë e Shqipërisë, Partisë Demokratike në Shqipërisë. PD u themelua si parti e idealit më fisnik të njeriut, idealit të lirisë në vendin e shtypjes më të egër, si parti e të drejtave të njeriut, shpresave të pashuara të shqiptarëve, si parti e vokacionit perëndimor dhe anëtarësimit në NATO. PD u themelua si parti e interesit kombëtar të shqiptarëve, cështjeve shqiptare të kombit të ndarë në 5 shtete. Shqipëria hyri në vitin ‘90 pothuajse në pikën zero të ekzistencës por do të vinte me mrekullinë e madhe, lindjen e pluralizmit në dhjetor të atij viti. Nder për jetë atyre studentëve, burrave dhe grave që themeluan pluralizmin politik. Studentët dhe studentët e UT të udhëhequr nga tribuni i lirisë Azem Hajdari gjunjëzuan në rrugët dhe sheshet diktaturën më të egër në mbarë Europën. Ndaj ne sot festojmë sëbashku jo vetëm themelimin e një partie por ditëlindjen tonë të dytë të lirisë, ëndrrave dhe shpresave tona.Sot pas 22 vitesh bëhet gjithnjë e më e madhe vepra e atyre që hodhën themelet e pluralizmit politik por sot mbi të gjitha shkëlqen më shumë se kurrë mundi, djersa, puna, krijuese e qytetarit shqiptar, të rejave dhe të rinjve që me një guxim të madh përmbysën diktaturën hoxhiste në Shqipëri dhe shndërruan Shqipërinë në vendin e të drejtave të garantuara. PD do të mbetet në jetë të jetëve parti e lirisë e të drejtave tuaja” tha ai.Pas dy dekave, tha më tej Kryeministri, PD vjen si forca politike më e fuqishme në vend, si lokomotivë e zhvillimit dhe ndryshimit të vendit, si forca politike e besimit më të madh, e besimit të të rinjve dhe të rejave.Berisha ka shfrytëzuar edhe një herë atmosferën festive dhe përkujtimin e kësaj date të rëndësishme për PD, për të siguruar të gjithë qytetarët se sëbashku me ta me 23 qershor do të thyejnë murin e bllokimit të opozitës.“Ne që shembëm murin e Berilinit, çamë murin e izolimit, ne që shembëm murin e bashkisë ne do të shembim murin e bllokimit, vota e 23 qershorit është votë për të ardhmen, është votë për Europën. Ne do të fitojmë”deklaroi Kryeministri.Me një lutje drejt Zotit për bekim të Shqipërisë, rinisë, flamurit, miqve të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve në trevat shqiptare dhe diasporë, numri një i PD e përmbylli fjalimin përpara qindra të pranishmëve, përfaqësues, anëtarë e protagonistë të PD, Ambasadorë të akredituar në vendin tonë si dhe simpatizantë të partisë së djathtë më të madhe në vend.