Nis trajnimi i administratës publike, Rama: Vlerë e shtuar, rrit performancën

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Doganave, Agjencia Kombëtare të Ushqimit, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Inspektorati Qendror Teknik dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, ishin institucionet që nisën sesionin e parë të trajnimeve të drejtuesve të tyre, me qëllim krijimin e një administrate etike, profesionale dhe të përkushtuar në shërbim të publikut.Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha kanë qëndruar për pak në ambientet ku zhvillohej trajnimi dhe kanë dhënë mesazhe për këta drejtues të administratës publike në proces trajnimi.“Të gjithë ju që jeni këtu, jeni drejtuesit e asaj pjese të shtetit të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me biznesin. E asaj pjese të shtetit që për fat të keq, për arsye të traditës dhe jo prej fajit të asnjërit prej individëve, për shkak të sistemit që është ndërtuar dhe të natyrës së marrëdhënieve që janë krijuar dhe jo për faj të njërit apo të tjetrit, ka një qasje tërësisht të gabuar ndaj sipërmarrjes. Një qasje që ne duam ta ndryshojmë me çdo kusht. Nuk e krijon mirëqenien qeveria, në një sistem si i yni, mirëqenien e krijon në radhë të parë biznesi; nuk i hap vendet e punës qeveria, vendet e punës i hap biznesi; nuk i rrit të ardhurat qeveria, të ardhurat i rrit biznesi”tha Rama.Rama e quajti kualifikimin e vazhdueshëm një vlerë të shtuar duke theksuar bindjen e besimit në këtë proces.“Në qoftë se po bëni shumë punë, atëherë për të njëjtën energji që po harxhoni mund të bëni dyfishin e rezultatit, në qoftë se do të jemi në gjendje që të gjithë këtë proces ta kthejmë në një proces kualifikimi të gjithë administratës. Në qoftë se do të jemi në gjendje që të gjithë atyre që vijnë te dera e administratës doganore, tatimore apo të tjerave si vartësit tuaj, t’i japim mundësinë të ndjehen të dobishëm. Është një histori e tërë që duhet të ndryshojë dhe të jeni të sigurt që mund të ndryshojë vetëm nëse ne e besojmë këtë proces, vetëm nëse investohemi në këtë proces. Kjo do të bëj që profesionalisht secili prej jush të rritet.Në qoftë se nuk funksionon si skuadër e gjithë administrata në secilin sektor, nuk ka sukses.Kompanitë e trajnuara apo që investojnë për trajnimin kishin rritur të ardhurat e tyre mbi 40%, kompanitë që nuk kishin investuar për trajnimin kishin rënë 22%.Shtetet që trajnojnë më shumë kanë performancë më të lartë, shtetet që trajnojnë më pak kanë performancë më të ulët. Shtetet që lindin të trajnuar dhe që nuk mendojnë më kurrë se kanë nevojë të trajnohen, rrinë në fund dhe bëjnë sikur janë të parët” u shpreh Kryeministri.Ndërsa Ministrja Gjosha tha se trajnimi është i rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit në BE.“Në këtë proces ku ndodhet sot Shqipëria, trajnimet tuaja janë me të vërtet shumë të nevojshme, për një arsye thelbësore sepse vërtet në muajin qershor ne kërkojmë statusin kandidat, por shumë shpejt Shqipëria do të hyjë dhe në procesin e negociatave ku kërkohet ekspertizë dhe profesionalizëm. Ndërtimi i institucioneve shqiptare do të jetë dhe prioriteti bazë, që do të na bëjë ne nesër një shtet të sigurt me standardet evropiane, atë që kërkojmë të gjithë sëbashku ta ndërtojmë sot” tha Ministrja e Integrimit.E gjithë administrata publike është futur në një proces trajnimi për të rritur performancën. Trajnimet e administratës publike do të jenë të vazhdueshme për të mundësuar përballimin e sfidave në rrugën e integrimit të plotë të vendit.