TVSH për barnat, MF:Tatimpaguesit farmaceutikë të inventarizojnë stokun

Ministria e Financave i është përgjigjur menjëherë shqetësimit të Urdhërit të Farmacistëve mbi heqjen e TVSH-së për barnat. Përmes një njoftimi për mediat, Ministria e Finacave thekson se për të shmangur keqkuptimet dhe keqinterpretimet e procesit të tregtimit të barnave prej datës 1 prill 2014 kur ka hyrë në fuqi përjashtimi nga TVSH për barnat dhe shërbimet mjekësore, Ministri i Financave bëri saktësimin e duhur në Udhëzimin përkatës.Sipas Udhëzimit të Ministrit të Financave, duke filluar nga data 1 prill 2014 të gjitha barnat e importuara dhe prodhuara në vend, të pajisura me pullën e kontrollit me çmimin me TVSH 10%, me qëllim për t’u tregtuar (shitur) që rezultojnë gjendje në subjekte farmaceutike deri më datë 31 mars 2014, do të aplikohet TVSH zero përqind në shitje, pavarësisht nga masa e TVSH që është e shënuar në pullë.Sipas po këtij udhëzimi të gjithë tatimpaguesit farmaceutikë do të duhet të inventarizojnë gjendjen e stokut të tyre për barnat që mbajnë pullën e kontrollit me çmim me TVSH 10% dhe ta dorëzojnë në format elektronik ose të shkruar pranë administratave rajonale tatimore deri në datë 20 prill 2014.Vlera e TVSH-së së mbartur nga barnat që janë stok deri më datë 31 Mars 2014, do të shuhet gradualisht në proceset e kreditimit dhe debitimit të TVSH-së.Më herët Diana Toma, President i Urdhërit të Farmacistëve tha se një farmacist rrezikon gjoba apo masa të tjera administrative nësë shitet një ilaç me TVSH, ndërkohë që në anën tjetër një farmacist nuk e ka të mundur të bëjë vetëm ndryshimin e pullës.