Ndotja masive e lumit Osum, katastrofë ekologjike, Agjensia e Mjedisit nuk reagon
Disa ditë më parë një ndotje tepër e lartë e ujrave të lumit Osum u denoncua nga peshkatarët dhe banorët në qytetin e Beratit. Bashkë me rrjedhën e lumit një shkumë e bardhë me erë të keqe u shfaq në sipërfaqen e rrjedhjes së këtij lumi. Banorët denoncuan hapur se ndotja shkaktohej nga aktiviteti privat i një fabrike që ndodhet mes aksit rrugor Berat-Skrapar në dalje të qytetit.Agjensia Rajonale e Mjedisit pas publikimit të lajmit në media dhe pse ka pjesë të punës së saj monitorimin e situatës, deklaroi nëpërmjet kreut të saj se do të kryeshin inspektimet në terren nga specialistët mjedisorë, madje do të merreshin dhe masa për shmangien e mëtejshme të ndotjes.Por, ndonëse kanë kaluar disa ditë nga raportimi i gjendjes, jo vetëm që asnjë masë nuk është marë, por situata po përkeqësohet.Pamjet e marra në afërsi të fshatit Mbrakull, në aksin rrugor Berat-Skrapar, në përroin që derdhet në lumin Osum, tregojnë se ndotja kalon çdo parashikim. Në përroin që kalon mes fshatit dyshohet se derdhen dhe mbetjet e fabrikës, e cila ndodhet në këtë zonë.Pamjet tregojnë qartë se uji shënon një ndotje tepër të lartë, e cila dalin dallohet lehtësisht. Tashmë me uljen e nivelit të lumit si pasojë e pakësimit të prurjeve, ndotja bëhet dhe më e rrezikshme.Pamjet e marra tregojnë se mbi nivelin e ujit ndodhet prezenca e preparateve ndotës që përshkojnë gjithë sipërfaqen dhe vazhdojnë rrjedhën deri në lumin Osum duke e përcjellë atë deri në Berat,por për çudi masat deri tani kanë munguar.