Anceloti entuziast, Klopp nuk dorëzohet
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti është shprehur i lumtur me fitoren 3:0 ndaj Borussia Dortmundit në sfidën e parë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Strategu Italian e ka pranuar se çdo ditë ëndërron finalen e këtij kompeticioni dhe triumfin e trofeut të dhjetë kontinental në historinë e klubit."Për trofeun e dhjetë mendojmë të gjithë, çdo ditë, dhe sa herë që kemi një ndeshje të tillë. Është një motivim i madh, kjo ishte vetëm një nga pesë finalet e mbetura, ndaj duhet të vazhdojmë kështu", deklaroi Ancelotti pas ndeshjes."Kemi reaguar pas dy ndeshjeve që nuk shkuan mirë, por ekipi ishte në në formë të mirë, pavarësisht humbjeve. Ëndërroj finalen, kanë kaluar shumë vite që Reali nuk luan më deri aty. Ky rezultat na bën të mendojmë se është gjithçka e lehtë por Borusia në pjesën e dytë na tregoi se nuk është kështu. Është normale që ekziston një presion i madh kur luan në çerekfinale të Ligës së Kampionëve". Sa i përket dëmtimi që pësoi Cristiano Ronaldo, Ancelotti dha një lajm të mirë: "Nuk është asgjë serioze".Ndërkohë Jurgen Klopp është treguar diplomat duke pranuar disfatën e skuadrës së tij por nuk pranon të dorëzohet për ndeshjen e kthimit."E dinim që na priste një ndeshje e vështirë por nuk e kisha menduar një humkbje kaq të thellë. Reali është një ndër skuadrat më të mira në botë dhe lojtarët që ka në përbërje mund të bëjnë diferencën në cdo moment të ndeshjes. Nuk kishim një pjesë të mirë të lojtarëve titullar dhe kjo kushtëzoi edhe ndeshjen.Në ndeshjen e kthimit do të jetë e vështirë të përmbysin gjithcka por duhet të tentoj" - theksoi Klopp në konferencën për shtyp në përfundim të ndeshjes. Ai u shpreh i sigurtë se do të vazhdoj projektin me skuadrën gjermane.