Bayerni frenohet në barazim nga United
Ishte parashikuar një ndeshje e bukur që në momentin që u hodh shorti dhe e tillë rezultoi. Manchester United dhe Bayerni i Mynihut, pavarësisht momentit krejtësisht të kundërt që po kalojnë në fushë, nuk e mbyllin ndeshjen më shumë se shifrat 1-1.Skuadra e David Moyes e nis më mirë ndeshjen në minutat e para por nuk arrin të vendosë në provë portierin Nojer. Bavarezët do të reagonin dhe do të merrnin frenat e lojës. Robben do të lëshonte sinjalin e parë në minutën e 31-të me një goditje nga distance, por De Gea është në vendin e duhur. Deni Uellbek në krahun tjetër kishte shansin e artë për të barazuar rezultatin teksa u gjend i vetëm përballë por nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë. Me gjithë tentativat e të dyja skuadrave, pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0.Fraksioni i dytë ishte një dominim në zotërimin e topit nga Bayerni që “i merr frymën" djajve të kuq, po në fakt e shikon veten në disavntazh në minutën e 59-të. Mbrojtësi i Interit në sezonin e ardhshëm, Nemanja Vidic, pas një goditje nga këndi e dërgon topin në rrjetë. Pas golit, bavarezët nuk dorëzohen dhe bëhen më të ashpër në lojën e tyre. Gaurdiola përdor edhe kartën Madzukic në sulm në vend të Myler. Barazimi do të vinte shumë shpejtë në të 67-tën me Shvajnshtanger, që shënon me të majtën një gol të bukur.Deri në fund Bayerni do të kërkonte me ngulm edhe golin e avantazhit por mos saktësia e sulmit bavarez dhe forma e mirë e De Geas, bëri që në fund rezultati të përfundonte 1-1. Kampionët e Europës kështu kanë shtyrë kualifikimin e tyre për në ndeshjen e kthimit në “Allianz Arena” ku gabimet nuk mund të tolerohen më.