Beograd, të djathtët dhe radikalët kundër zbatimit të IBM-së
Pjesëtarë të disa organizatave djathtiste kanë mbajtur në Beograd një marsh protestues me motin “Asnjëherë kufi- Kosova është Serbi”.Marshi është organizuar kundër fillimit të zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në vendkalimet kufitarë në Jarinë dhe në Merdare.Ata kanë kërkuar ndërprerjen e bisedimeve me Prishtinën dhe e kanë porositur qeverinë që të heqë dorë nga integrimet evropiane.Edhe përfaqësues të Partisë Radikale Serbe për Kosovën, kanë thënë se zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në Jarinën, nënkupton vendosjen e kufirit mes “Serbisë dhe Shqipërisë së Madhe”.Ky subjekt, përmes një komunikate për media, e ka quajtur veprimin e sotëm të qeverisë serbe si “tradhti të interesave kombëtare dhe shtetërore të serbëve”.Në mëngjes, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe ata të Doganës, kanë bërë të ditur se në vendkalimin kufitar në Merdare dhe Jarinë ka nisur zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, që ndryshe njihet edhe si IBM.Sipas tyre, autoritetet doganore nga Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë që nga dje kanë qenë të pranishëm në vendet e tyre të reja të punës në Merdare.