Serbët vendosin të zhbllokojnë Jarinën
I ashtuquajturi Kuvend i katër komunave të veriut, ka marrë vendim parimor që protesta në vendkalimin kufitar në Jarinë të ndërpritet, me kushtin që Qeveria serbe t’i ndërpresë punimet në Jarinë.Por, vendimi u mor pa praninë dhe pa pajtimin e përfaqësuesve të serbëve nga Partia Radikale Serbe, të cilët kanë braktisur mbledhjen që u mbajt në Leposaviq, ku të ashtuquajturit kryetarë të katër komunave paralele të veriut të Kosovës, publikuan detajet e bisedimeve me autoritetet e larta të shtetit serb, bisedime këto, që u zhvilluan ditën e enjte në Beograd. Ky edhe ka qenë qëllimi i mbledhjes, të premten në Leposaviq, si dhe arritja e një marrëveshjeje ndërmjet përfaqësuesve të serbëve të veriut, për zhbllokimin e vendkalimit kufitar në Jarinë, gjë që do t’i hapë rrugë zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, marrëveshje kjo e arritur në dialogun Kosovë - Serbi. Por, përfaqësuesit e serbëve theksuan se nuk pajtohen me zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në Jarinjë dhe Bërnjak, pavarësisht vendimit të tyre që përkohësisht të tërhiqen nga protesta dhe të zhbllokohet vendkalimi kufitar në Jarinë. I ashtuquajturi kryetar i komunës paralele të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, theksoi se nuk sheh asnjë arsye pse përfaqësuesit e serbëve të veriut të mos i pranojnë përfundimet e Qeverisë së Serbisë. “Të gjitha kërkesat tona janë pranuar edhe nga ana e Bashkimit Evropian, por edhe nga ana e kryeministrit të Kosovës. Unë nuk shoh asnjë arsye që ky kuvend sot të mos i mbështesë përfundimet e Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe në periudhën e ardhshme, së bashku me qeverinë tonë, të arrijmë zgjidhjen më të mirë të mundshme, jo vetëm për statusin e veriut, por për të gjithë Kosovën”, tha Pantiq. Përfaqësuesit e serbëve të veriut në mbledhje theksuan se e kanë të paqartë pikën 5 ku thuhet se “Nuk do të ketë pagesa në vendkalime”, gjegjësisht ata nuk e kishin të qartë nëse kjo pagesë mbetet të bëhet në Nish apo në anën jugore të Mitrovicës.