KDI në Kosovë, "dhuratë" për qeverinë e korruptuar

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Instituti Demokratik i Kosovës  dhe Transparency International Kosova  i dhuruan Qeverisë së Kosovës, një dhuratë brenda së cilës gjenden raporte të cilat flasin për korrupsionin në Kosovë.Merita Mustafa, nga KDI tha se kjo dhuratë e korrupsionit, është dhurata më e keqe që i ofrohet Kosovës gjatë këtij viti.“Kemi vendosur që sot në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, t’i japim Qeverisë një dhuratë e cila është një pako që përmban raporte të korrupsionit për Kosovën. Janë disa raporte të organizatave më kredibile në botë dhe kjo është dhurata më e keqe që i ofrohet Kosovës për këtë vit. Ne shprehim zhgënjim të madh për mos reagimin e Qeverisë, ndaj të gjitha këtyre raporteve. Qeveria deri më tani ka injoruar në vazhdimësi të gjitha këto raporte dhe është duke e injoruar problemin e korrupsionit, i cili është njëri prej problemeve kryesore në vendin tonë”, pohoi Mustafa.Sipas Mustafës në këtë raport që iu dhurua qeverisë  flitet për nivel të lartë të krimit ekonomik dhe për një administratë të dobët publike,  e cila është tërësisht e politizuar dhe që përmban njerëz jo të kualifikuar.