BE përshëndet zbatimin e IBM, Ashton:Të kënaqur nga bisedimet konstruktive Kosovë-Serbi

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë shprehur të kënaqur me bisedimet Kosovë-Serbi. Në një konferencë për mediat përfaqësuesja e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton teksa përshëndeti vijimin konstruktiv të dialogut mes dy shteteve, theksoi se BE pret që të dyja palët të përfitojnë nga zbatimi i marrëveshjes.“Jam e kënaqur që palët kanë vijuar bisedimet në mënyrë konstruktive. Ndërkohë sot kemi parë marrëveshjen e parë që është vënë në zbatim. Përgëzoj Eulex për ndihmën që ka dhënë për dy palët. Shpresoj që njerëzit të përfitojnë nga zbatimi i marrëveshjes së dy palëve. Megjithëse ka shumë sfida, por kur të kthemi në janar do shohim më shumë progres”,tha Ashton.Kosova dhe Serbia filluan sot zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit, e arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.Në dy vendkalime kufitare, në Merdarë rreth 45 kilometra në veri të Prishtinës dhe në Jarinë, në veriun e banuar më shumicë serbe, pjesëtarë të policisë serbe, asaj të Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian, të shoqëruar edhe nga doganierët filluan sot pa ndonjë problem zbatimin e marrëveshjesMarrëveshja u materializua pas takimit të tretë, të 4 dhjetorit, në Bruksel, të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët u pajtuan që dy nga vendkalimet kufitare në Merdarë dhe në Jarinë të jenë funksionale që nga 10 dhjetori, ndërsa dy vendkalime të tjera kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet të përfshihen në regjimin e ri derë në fund të vitit, në kuadër të këtij procesi që shënon edhe rastin e parë të bashkëpunimit ndërmjet të dyja palëve, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.