- Kurthet e universiteteve publike
Sistemi arsimor universitar në Shqipëri është mbërthyer në disa kurthe. Ato kanë mbërthyer të tria zonat e sistemit: universitetet publike, universitetet private si edhe pikëtakimet midis tyre. Sistemi i universiteteve publike vuan paradoksin midis prestigjit të trashëguar dhe burimeve modeste financiare. Por prestigji i dhuruar i universiteteve publike tashmë nuk i hyn më në punë njeriu. Studentët dhe shoqëria kërkojnë prej tyre diploma me fuqi tregu, por në fakt fuqia e diplomës vjen duke u zvogëluar. Ndërkohë, burimet e pakta të financimit i kanë katandisur ato me një infrastrukture e logjistikë të varfër. Një tjetër kurth është niveli i ulët i kualifikimit të personelit akademik. Kjo i ka venë disa universitete publike, sidomos ato që ndodhet në periferitë e vendit dhe rrethinat e sistemit universitar, në një raport dyshues me dijen. Një pjesë e madhe universitetesh, sidomos ato rishtare, të krijuara jo nga nevoja për dije, por për vota, transmetojnë dije të vjetruara, të kufizuara ose të shtrembëruara. Po të shtojmë këtu edhe problemin e teksteve, më duket se pamja bëhet më e plotë, por më e varfër. Një pjesë e madhe pedagogësh e teprojnë me përdorimin e teksteve të tyre, jo gjithmonë me njohuri të reja ose të përditësuara. Për shkak të kësaj manie, në tregun e botimeve universitare mungojnë përkthime të teksteve me vlera të padiskutueshme nga universitetet prestigjioze, të cilat përdoren globalisht.
- Kurthet e universiteteve jopublike
Nëse hyjmë në zonën e universiteteve jopublike, në mjaft prej tyre gjendja është alarmante. Këto universitete vuajnë kontradiktën midis burimeve financiare të bollshme e infrastrukturës moderne dhe prestigjit të ulët ose në rritje tepër të ngadaltë. Por duhet të pranojmë se ato universitete që kanë arritur ta ndërtojnë këtë proces, po shkojnë drejt një prestigji jo të dhuruar, por të qëndrueshëm, të krijuar me cilësinë dhe standardet që ofrojnë. Por shumica e universiteteve jopublike nuk kanë hyrë ende në rrugën e krijimit të prestigjit. Ky proces është kompromentuar për shkak të shpërdorimit të lirisë universitare, masakrimit të cilësisë, dhe monitorimit të dobët e klientelist. Ndërkohë, universitetet jopublike kanë një zhvillim dhe dinamikë më të diversifikuar në raport me njeri-tjetrin. Nëse në garën e cilësisë universitetet publike, me pak përjashtime, janë në vend numëro, disa universitete jopublike ecin më shpejt dhe po konkurrojnë denjësisht universitetet e Tiranës. Cilësia në disa universitete jopublike, si UET dhe ndonjë tjetër, rritet më shpejt sesa në shumicën e atyre publike. Megjithatë, shumica e universiteteve jopublike ndodhen ende para një kurthi të rrezikshëm: fuqia e dobët e tregut e diplomave. Por fuqia e tregut e diplomave universitare ende nuk është produkt i “dorës së padukshme”, por i imazhit të tyre, pra prestigjit të dhuruar (të universiteteve publike) dhe prestigjit të fituar ose në proces konsolidimi (të universiteteve jopublike).
- A ka konkurrencë reale midis universiteteve publike dhe jopublike?
Midis dy pjesëve të sistemit ka vetëm një të ashtuquajtur “konkurrencë”. Por ajo, në vend që të rriste cilësinë akademike, e ka ulur atë. Krahas liberalizimit të arsimit universitar jopublik, ndodhi pa u kuptuar një liberalizim i sistemit publik, me pasoja katastrofike në cilësinë e mësimdhënies universitare. Sistemi publik kopjoi sistemin jopublik, por pa burimet e nevojshme financiare dhe infrastrukturore. Të dy sistemet hynë në një “luftë të ftohtë”, viktimë e së cilës u bë cilësia e ulët e dijes universitare dhe kërcënimi i të Vërtetës (shkencore) prej Gabimit. Nëpërmjet kësaj konkurrence të deformuar, sistemet më shumë i imponuan njëri-tjetrit hilet e tyre sesa vlerat. Për shembull, universitetet publike e ulin vazhdimisht ”stekën” e pranimeve, duke hapur dyert jashtë mundësive të tyre financiare dhe mësimdhënëse. Kjo sjellje e pandershme i detyron universitetet jopublike të pranojnë studentë të rinj nga një rezervuar aplikantësh më pak cilësor. Vetëm pak universitete jopublike kanë mundur ta kapërcejnë këtë kurth nëpërmjet paketave financiare të bazuara në meritën, nëpërmjet të cilave tërheqin studentë cilësorë.
- Si mund t’u përgjigjen universitetet nevojave të tregut?
Ka një shqetësim publik legjitim për shkallën e punësimit të të diplomuarve në universitetet shqiptare. Por ajo që duhet të na shqetësojë nuk është shkalla e punësimit, por fuqia në treg e diplomës. Kur një i diplomuar nuk gjen punë se nuk ka punë në treg, kjo është gjysma e të keqes. Në këtë raste problemi nuk është te universitetet, por te modeli ekonomik. Por si t’ia bëjmë kur nuk gjen punë se diplomës së tij nuk ia hedh njeri sytë, edhe pse mund të ketë nevojë për fuqi punëtore, madje edhe për specialistë? Kjo ndodh se sipërmarrjet ua njohin vlerën diplomave të universiteteve tona. Shqetësimi i shoqërisë nuk duhet të jetë pse të gjithë të diplomuarit nuk gjejnë punë në profesionet e tyre. Edhe numri i atyre që gjejnë një punë pasi formohen profesionalisht (nga sistemi publik ose privat) në Shqipëri është i ulët: jo më shumë se 17 për qind. Shqetësimi pra, duhet të jetë cilësia e diplomës. E përsëris, një diplomë me fuqi tregu e gjen vetë rrugën drejt tregut.
- Renditje plus kategorizim i universiteteve
Aktualisht në Shqipëri kapacitetet mësimdhënëse, por të pacertifikuara, pra oferta për pranime, është më e madhe se kërkesa e studentëve për t’u pranuar në universitete. Kjo e kompromenton cilësinë. Por për të mos i mbyllur rrugën të drejtës natyrore e njerëzore për t’u arsimuar, unë do të sugjeroja jo thjesht renditje, por kategorizim të universiteteve shqiptare, që në momentin e licencimit të tyre. Studenti duhet ta dijë që në fillim kategorinë ose nivelin e universitetit ku meriton të pranohet, në bazë të rezultateve që ka arritur në shkollën e mesme dhe gjatë procesit të testimit. Pas diplomimit, secili do ta ketë të qartë fuqinë dhe shanset e tij në treg. Nuk ka dyshim se universitetet amerikane janë aktualisht më prestigjiozet në botë. Nga 100 universitetet më të mira, vlerësuar së fundi nga
Times Higher Education, rreth gjysma janë amerikane. Por në ShBA licencimi i universiteteve bëhet nga nivele të ndryshme: qeveria federale, grup shtetesh, shtete, madje edhe bashki qytetesh. Asnjë prej këtyre të fundit nuk pretendon të jetë Harvard ose Stanford. Niveli i licencimit përcakton edhe kategorinë dhe standardet e universitetit. Por edhe qeverisja në Shqipëri duhet të ndërtojë një sistem selektiv dhe meritokratik punësimi. Shumica e aplikantëve dëshirojnë të studiojnë drejtësi dhe marrëdhënie ndërkombëtare sepse ëndërrojnë të punësohen në administratën shtetërore. Është vetë qeverisja që ka ushqyer këtë ambicie, nëpërmjet politikave nepotike, klienteliste e korruptive të punësimit të funksionarëve publikë. Për shkak të së cilave, yjet shqiptarë të diplomuar në universitetet e famshme të botës, ndodh që mënjanohen nga diplomat e blera.
/Burimi: mapo.al/