Bashkia akuza Ramës: Po bllokon Tiranën, Prefekti rrëzoi buxhetin
Bashkia e Tiranës i ka bërë thirrje sot shefit të qeverisë, Edi Rama, ti japë fund luftës politike me këtë institucion dhe të ndalë dëmin e pallogaritshëm që kjo luftë u shkakton interesave të qytetarëve të Tiranës, pa dallim bindjesh politike.“Dua të shpreh keqardhjen që buxheti i Bashkisë së Tiranës vazhdon të mbetet i bllokuar. Bllokimi i buxhetit dëmton drejtpërdrejt interesat e qytetarëve të Tiranës. Në emër të Bashkisë së Tiranës, i bëj thirrje Edi Ramës t’i japë fund luftës politike me Bashkinë e Tiranës dhe të ndalë dëmin e pallogaritshëm që kjo luftë u shkakton interesave të qytetarëve të Tiranës, pa dallim bindjesh politike. Parada për sukses të miratimit të buxhetit, e Edi Ramës, mbetet thjesht dhe vetëm propagandë politike, pasi në realitet bllokimi është e vetmja vepër e tij”tha Bozdo në një deklaratë për mediat .Nënkryetari i Bashkisë, theksoi më tej se bllokimi i buxhetit të Bashkisë ka ngrirë çdo lloj financimi për projektet në kryeqytet.“Bllokimi i buxhetit pamundëson financimin e ndërtimit dhe rikonstruksionit të 69 shkollave të mesme, çerdheve dhe kopshteve për vogëlushët e Tiranës, të laboratorëve të rinj dhe palestrave të reja, të instalimit të ngrohjes në 100% të çerdheve dhe kopshteve dhe 90% të shkollave të mesme, deri në fund të këtij vitit; bllokon financimin e ndërtimit të 82 km rrugë të reja dhe 128 mijë m² sipërfaqe e gjelbër. Me bllokimin e buxhetit është pamundësuar financimi i shpronësimit të tokës për varreza dhe projektit të rehabilitimit të tyre, financimin e të rinjve të Tiranës për të nisur biznesin e tyre dhe për të krijuar vende të reja pune, financimin e nxitjes së sipërmarrjes dhe punësimin e qytetarëve të Tiranës. Bllokimi i buxhetit ka pamundësuar financimin e qendrave sociale, ku marrin mbështetje më shumë se 2300 qytetarë në nevojë, financimin e projekteve kulturore të Tiranës, mbështetjen për artistët e rinj, për piktorët, fotografët, muzikantët, mbështetjen për sportin dhe të gjitha veprimtaritë e shumta sportive që Bashkia organizon përgjatë një viti. Bllokimi i buxhetit pamundëson financimin e shpronësimit dhe kostot lokale për veprat e mëdha publike të Tiranës, si bulevardi i ri, lumi i Tiranës, linjën e tramit Kombinat- Kinostudio, stacionin multimodal të pasagjerëve apo dhe projekti për zgjidhjen përfundimtare të mbledhjes dhe përpunimit të mbetjeve në Tiranë” deklaroi Bozdo.I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Prefektit, Sadi Vorpsi, i cili në një dalje për mediat i kërkoi kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe Këshillit bashkiak, rishqyrtimin e zërit të buxhetit që ka të bëjë me shpronësimet për realizimin e projektit e Bulevardit Verior dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës.
“Në cilësinë e Prefektit të Qarkut Tiranë, jam i detyruar t’i kërkoj Bashkisë së Tiranës, Kryetarit të saj dhe Këshillit Bashkiak, rishqyrtimin e zërit të buxhetit që ka të bëjë me shpronësimet për realizimin e projektit e Bulevardit Verior dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës.Shuma e përllogaritur nga ish-qeveria Berisha nuk përputhet me shumën e vënë në dispozicion nga Kryetari Lulzim Basha. Problemi me këtë mospërputhje mes Berishës dhe Bashës qëndron te fakti se të cënuarit dhe ato që vuajnë në fund janë qytetarët. Si Prefekt i Qarkut Tiranë, nuk mund të lejoj që qindra banorëve të kryeqytetit, siç e kemi parë edhe në protestat e zhvilluara prej tyre, t’u prishen shtëpitë nga Bashkia, pa u saktësuar më parë fondi që do t’i dëmshpërblejë ata. Kjo është e padrejtë dhe bie në kundërshtim edhe me vetë lejen e lëshuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe më konkretisht Pika 5 e saj ku vetë z. Basha thekson se “Në pasuritë pronë private, subjekt shpronësimi nuk do të kryhen punimet pa u përfunduar më parë procedurat e shpronësimit sipas legjislacionit në fuqi”tha ai.Vorpsi apeloi kryebashkiakun Basha të mos merret me politikë, por me interesin qytetar.“Në këto kushte, dëshiroj t’i bëj edhe njëherë thirrje Bashkisë së Tiranës, që të rregullojë zërin e shpenzimeve të shpronësimeve dhe vetëm më pas, puna mund të vazhdojë normalisht.Bashkia të mos merret me politikë, por me interesin qytetar, pasi qytetarët janë të parët”.