Ndryshime në kodin penal, masa të ashpra për tritolin e kartat SIM
Duke i konsideruar lëndët plasëse si rreziku më i madh pë sigurinë e vendit, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka bërë publik ndryshimet e reja në Kodin Penal. Me një dalje nga Kryeministria, fill pas mbledhjes së qeverisë, ai ka bërë të ditur vendimet e marra, duke sqaruar se 15-20 vite burg rrezikojnë personat që mbajnë dhe tregtojnë lëndë plasëse.“Sot qeveria me kërkesë të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe Ministrit të Punëve të Brendshme ka miratuar disa ndryshime në kodin penal që do i shkojnë për miratim Kuvendit sa më shpejt dhe që lidhen me çështjen e vjedhjes së energjisë elektrike, ashpërsimin e masave të dënimeve që kanë të bëjnë me përdorimin e lëndëve plasëse dhe shitjen apo rishitjen e kartave SIM të telefonave në mënyrë të pautorizuar si dhe përcaktimin e kufirit minimal për shkelësit e qarkullimit rrugor. Ne synojmë që përmes këtyre masave të ndikojmë fort në parandalimin e këtyre fenomeve dhe rritjen e ndëshkueshmërisë për gjithë shkelësit. Lidhur me lëndët plasëse, vjen si analizë e ekspertëve të ministrisë së brendshme, që ka marrë në shqyrtim përdorim e lëndëve plasëse për qëllim civil; ndryshim në nenet 278 dhe 282 të Kodit Civil 5-8 vjet burg për mbajtje të eksplozivit, dhe në rrethana cilësuese nga 15-20 vjet, pra në rastet kur lëndët eksplozive mbahen, transportohen trafikohen për qëllime kriminale” tha ai.Tjetër vendim të cilin e bëri publik Ministri, ishte ndryshimi që prek sigurinë rrugore. Sipas Tahirit, të gjithë personat që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo drogës si dhe pa leje drejtimi, rrezikojnë burg nga 10 ditë deri në 3 vjet.Të gjithë ata që tregëtojnë në mënyrë të paautorizuar karta telefonike SIM, rrezikojnë 1 muaj heqje lirie.“Për ndryshimet në Kodin Penal për vjedhjen e energjisë synon të adresohet ky problem dhe parashikohen masa për shkelësit, deri ne 5 vite burg. Sot u miratua kërkesa për amendimin e nenit 291 të Kodit penal për sigurinë rrugore. Kjo është një nga pikat ë masave të prezantuara bashkë me ministrinë e Transportit për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa leje drejtimi, të dënohet nga 10 ditë deri në 3 vjet”, informoi Ministri.Ndryshimet pritet që shumë shpejt të marrin OK-n e parlamentit, duke patur parasysh situatën e sigurisë në vend.Tahiri gjithashtu bëri me dije se qeveria ka miratuar një sërë ndryshimesh për rregullimin, disiplinimin dhe rritjen e sanksioneve lidhur me trafikun detar, veçanërisht për qëllime turistike.“Kështu, me ndryshimet e propozuara nga Ministri i Brendshëm, për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 8663, për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 tonë, kemi propozuar së pari, riklasifikimin e mjeteve lundruese, duke përfshirë të gjitha mjetet që përdoren për çdo lloj qëllimi, përfshirë këtu edhe motorët e detit apo edhe mjete të tjera, të cilat deri dje nuk ishin të klasifikuara në ligj. Me anë të këtij riklasifikimi zgjerojmë bazën e mjeteve të cilat do të njohin këtë rregullim, sipas ndryshimit që ne propozojmë në ligj.Propozojmë gjithashtu, zgjerimin e bazës së aplikueshmërisë së ligjit, duke mos përjashtuar, por duke përfshirë, garantimin e sigurisë jo vetëm në brezin detar, por edhe në liqene dhe lumenj dhe gjithashtu, disiplinimin e lundrimit veçanërisht për qëllime turistike, duke parashikuara instrumente inovativë të teknologjisë së lartë për të gjitha mjetet që do të përdorin hapësirën detare për qëllime turistike në Republikës së Shqipërisë, duke parashikuar detyrimin absolut që çdo mjet të pajiset me GPS, ose një pajisje teknologjike e cila lejon lehtë detektimin dhe ndjekjen e rrugës nëpërmjet frekuencave.Gjithashtu kemi parashikuar kritere absolute lidhur me përdorimin e mjeteve lundruese, mënyrën e përdorimin të tyre për qëllime argëtimi apo sportive, rregullat që kanë të bëjnë me sigurinë e pushuesve, me sigurinë e lundrimit gjithashtu, në plazhet publike dhe në plazhet jo publike, në bregdet apo në ujërat e brendshme, në thellësi të territorit. Për këtë arsye, Këshilli i Ministrave shpejt do të miratojë edhe një vendim, nëpërmjet të cilit detajohen të gjitha aspektet që sot parashikojmë në ndryshimet e ligjit përkatës, por që me vendimin e Këshillit të Ministrave do të materializohen me masa shumë më konkrete, të cilat teknikisht nuk mund të përfshihen në ligj. Njëkohësisht, në amendimin e ligjit janë përfshirë edhe sanksionet përkatëse për të gjithë ata që thyejnë rregullat e parashikuara, lidhur me mjetet lundruese dhe trafikun e mjeteve lundruese për qëllime argëtimi ose sportive”.Çështja tjetër e miratuar sot nga qeveria ka të bëjë me pasaportat.“Çështja tjetër e miratuar sot nga qeveria ka të bëjë me pasaportat. Me të marrë detyrën në Ministrinë e Punëve të Brendshme konstatuam se në periudhën prill 2009-korrik 2010 janë prodhuar një numër i konsiderueshëm, mbi 150 mijë pasaporta, të cilat kanë afat vlefshmërie të pasaktë. Më duhet të bëj një sqarim, janë pasaporta të vlefshme, por me afat vlefshmërie të pasaktë. Bëhet fjalë për pasaportat e fëmijëve, të cilat sipas ligjit duhet të pajisen me pasaporta 5 vjeçare për shkak të ndryshimeve mjaft të shpejta të karakteristikave fizike të fëmijëve, por që ndërkohë janë pajisur me pasaporta 10 vjeçare. Janë pasaporta të ligjshme për nga pikëpamja e kritereve formale, por substancialisht janë pasaporta që përmbajnë një afat të parregullt, pra, të paligjshëm. Me të konstatuar këtë situatë, e cila ka filluar në prill 2009 e ka vazhduar deri në korrik 2010, kemi ngritur një grup pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të bërë evidentimin e saktë të shtetasve, të situatave të mundshme, potenciale, në kufi apo në përdorim të qytetarëve që mbajnë këto pasaporta dhe me qëllim moscenimin e cilësisë së jetës së shtetasve që arsimohen, punojnë apo jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, sepse shumica dërrmuese e mbajtësve të këtyre pasaportave jetojnë jashtë Shqipërisë, si dhe me qëllim shmangien e kostove eventuale financiare për të riparuar këtë situatë dhe duke qenë se trajtimi i kësaj çështjeje ishte multidisiplinore, u ngrit pranë Kryeministrit, me urdhër të Kryeministrit, një grup pune i cili e trajtoi këtë çështje në të gjitha aspektet, për të ardhur sot me propozimin e ndryshimeve, të cilat do të lejojnë zgjatjen e afatit me një vit për këto pasaporta. Një vit i cili do të shërbejë për autoritet që të njoftohen qytetarët dhe të bëhet zëvendësimi i pasaportave, të cilat kanë afat të pavlefshëm, pra, kanë afat të paligjshëm”.