Tritol makinës së policit në Fushë-Krujë, shpërthimi gjatë natës, vetëm dëme materiale

Hidhet në erë me eksploziv makina e një efektivi policie. Ngjarja është regjistruar rreth orës 03:00 të mëngjesit në fshatin Halil Krujë të Fushë-Krujës, ku automjeti në pronësi të efektivit të policisë, Dilaver Boga, ka shpërthyer si pasojë e vendosjes së sasisë së eksplozivit.Në momentin e shpërthimit, mjeti ishte i parkuar pranë banesës, ndërsa fatmirësisht janë regjistruar vetëm dëme materiale të makinës.“Më date 26.03.2014, rreth orës 03.40, në fshatin Halil Krujë, në mjetin Benz me targa TR2772K pronë e shtetasit D.V., punonjes Policie ne Komisariatin Krujë është vendosur lëndë eksplozive, gjatë kohës kur mjeti ndodhej i parkuar në oborrin e banesës. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale (të mjetit). Në vendngjarje Grupi Hetimor po vijon veprimet e para për saktësimin e lëndës së përdorur; identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve” thuhet në njoftimin e policisë së Durrësit.Policia e qarkut Durrës ka ngritur një grup hetimor për identifikimin dhe zbardhjen e autorëve. Shpërthimi i sotëm ishte vazhdim i serial të shpërthimeve të ngjashme të regjistruara në këtë rreth, plot 6 të tilla në tre muaj.