E gjithë bota i falet këmbëve të “Pleshtit”
Nga OraNews Përditësimi i fundit 25 Mars 2014, 16:34
Nga të vjellat e deri tek “sirenat” e largimit. Për Leo Mesin kemi dëgjuar shumë të flitet për një krizë të thellë, aq sa mendohej edhe largimi i tij nga Barcelona. Edhe pse argjentinasi kishte shënuar rregullisht në ndeshjet e fundit, dukej qartë se kishte humbur pak nga shkëlqimi i tij. Megjithatë, “tripleta” ndaj Realit të Madridit në Klasike ka rikthyer edhe njëherë tjetër vëmendjen e shtypit botëror tek “Pleshti”. Faqet e para të gazetave më të mëdha sportive në botë i kanë dedikuar një hapësirë të madhe paraqitjes fantastike të Mesit, diçka që nuk ndodh për herë të parë. E përditshmja madrilene “Marca” zgjedh kryetitullin e thjeshtë “Rihapet La Liga”. E njohur për sulmet e ashpra ndaj skuadrës katalanase, këtë herë “Marca” nuk zgjedh rrugën e polemikave, duke theksuar se fitorja e Barcelonës në Madrid rikthen Atletikon në vendin e parë të klasifikimit. Pothuajse të njëjtën stil ndjek edhe e përditshmja tjetër e Madridit “AS” që hapet me titullin “Stuhi futbolli”. Sipas kësaj gazete, “El Clasico” dhuroi gjithçka, 3 penallti, 7 gola, një karton të kuq dhe shumë emocione. Në kampin katalanas, “El Mundo Deportivo” është në delir. Me foton e Mesit që puth fanelën e Barcelonës, kjo gazetë veçon si spektakolare paraqitjen e argjentinasit dhe mesfushorit Andres Iniesta. Edhe e përditshmja tjetër “Sport” e vë theksin te Lionel Mesi, duke nënvizuar se 4 herë fituesi i “Topit të Artë” dhe Andres Iniesta vendosën diktatin në “Santiago Bernabeu”. Për “L’Equipe” më shumë rëndësi ka futbollisti i kombëtares, Karim Benzema. Gazeta franceze hapet me titullin “Mesi-Benzema 3-2”, ndërsa italiania “Corriere Dello Sport” e cilëson takimin e Madridit si një leksion të vërtetë futbolli për të gjithë botën.Rekordet – Për Leo Mesin, kjo është hera e dytë që arrin të shënojë 3 gola në një Klasike, diçka që nuk e ka bërë kurrë më parë një futbollist tjetër. Argjentinasi bëhet gjithashtu edhe “Mbreti i Klasikeve”, pasi tashmë është shënuesi më i mirë në historinë e përballjeve Barça-Real me 21 gola, duke lënë pas Alfredo Di Stefanon me 18 gola. Plot 326 gola të shënuar në La Liga me fanelën e Barcelonës, duke “parakaluar” kështu Hugo Sançezin. Përpara argjentinasit, tashmë është vetëm Telmo Zarra, me 351 gola.Gol çdo 74’ – Viti 2014 ka qenë i jashtëzakonshëm për Mesin deri më tani. Pasi e mbylli vitin 2013 i dëmtuar, argjentinasi ka arritur të fitojë formën e tij më të mirë, duke shënuar 21 gola në 18 ndeshje të luajtura për këtë vit, mesatarja një gol çdo 74 minuta.2 “Tripleta”Lionel Mesi ka realizuar “tripletën” e dytë personale në një Klasike ndaj Realit, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë21 GolaMesi është shënuesi më i mirë në historinë e Klasikeve me 21 gola, duke lënë pas Di Stefanon, me 18 gola