Projektet IPA, Gjosha: Qeveria e angazhuar për menaxhim efektiv të fondeve të BE
Komiteti i Monitorimit të Projekteve IPA, u mblodh në Tiranë, ku u diskutua mbarëvajtja dhe adresimi i problematikave të evidentuara në lidhje me këto projekte. Në fokus ishte menaxhimi i fondeve që do të akordohen në vijim nga Bashkimi Evropian. Pas mbylljes se ciklit të financimit nga IPA I (2007-2013) qeveria shqiptare dhe Komisioni Evropian po punojnë bashkërisht për perspektivën e re financiare IPA II për periudhën 2014-2020.Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha dhe Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Direktoratin e Zgjerimit të KE-së, Jean Eric Paquet, mbajtën fjalët e hapjes në këtë takim, ku u theksua angazhimi i përbashkët për një menaxhim sa më të mirë të fondeve që akordohen nga Bashkimi Evropian, i cili ka mbështetur financiarisht Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit. Gjithashtu u nënvizua vënia në zbatim në mënyrë sa më efektive e projekteve.“Inpelementimi i projekteve IPA kërkon më shumë angazhim nga të gjithë aktorët. Në këtë proces kompleks, bashkëpunimi dhe gjthpërfshirja janë dy principet bazë të cilat duhet të ndiqen”, u shpreh ministrja Gjosha në fjalën e saj.Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Direktoratin e Zgjerimit të KE-së, u shpreh perspektiva financiare IPA II do të pësojë një ndryshim të rëndësishëm për mënyrën si do të akordohen fondet, ndaj kërkohet angazhim i plotë për menaxhimin sa më të mirë të tyre.“Gjërat nuk ndryshojnë brenda natës dhe ne e vlerësojmë përpjekjen e bërë nga qeveria shqiptare, por është e nevojshme që të respektohen afatet e zbatimit të këtyre projekteve, sigurisht duke u përqendruar te efektiviteti i tyre”, u shpreh Paquet.Ministrja Gjosha nënvizoi angazhimin e qeverisë për të mundësuar implementimin sa më të mirë të projekteve IPA.