Konferenca e Kryetarëve, mazhoranca miraton pa opozitën kalendarin e punimeve të Kuvendit

Konferenca e Kryetarëve u mblodh sot për të diskutuar kalendarin e punimeve për periudhën në vazhdim. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, bëri me dije se disa nga projektligjet e parashikuara në kalendarin e deritanishëm komisionet ende nuk kanë përfunduar shqyrtimin për një pjesë të tyre, për pasojë ato do t’i kalojnë kalendarit të ardhshëm trejavor.Më pas, deputeti i PD-së, Eduar Halimi deklaroi se opozita kërkon kthimin e kushtetutshmërisë në institucionet e pavarura.“Opozita ka bërë kërkesë në këtë tryezë edhe në parlament, lidhur me qëndrimin e Parlamentit, rikthimin e Parlamentit, në një gijotinë të institucioneve të pavarura. Tani po kthehet në një shtesë të qeverisë për të plotësuar etjen për pushtet të mazhorancës. Institucionet e pavarura janë për të kontrolluar qeverinë, janë për të kontrolluar mazhorancën, janë gardiani i ligjit dhe Kushtetutës. Kërkojmë kthimin e Kushtetutshmërisë në institucionet e pavarura siç është ILDKPKI. Kjo duhet të jetë pika e parë e kalendarit”, tha Halimi.Ndërsa, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe kërkoi që të përshpejtohet shqyrtimi i ligjit për Kontrollin e Lartë e Shtetit, që do t’i japë kompetenca të mjaftueshme këtij institucioni.“Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka më shumë se një javë që po shqyrton ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit, një iniciativë ligjore tek e cila unë kam firmosur draftin që mbahej prej dy vjetësh në Kuvend. Po synojmë që t’i japim pushtet të mjaftueshëm, kompetenca të mjaftueshme që nuk i ka pasur deri tani dhe në përputhje me rekomandimin e Progres-Raportit dhe natyrisht me rekomandimin e organizatave partnere të KLSH-së. Dhe unë besoj se ky është mesazhi më i mirë në raport me rritjen e fuqisë dhe pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Do të doja që edhe në dy komisionet e tjera që janë për dhënie mendimi, si Komisioni i Ligjeve dhe Komisionit i Integrimit Evropian, që kanë për detyrë ta shohin të nxitojnë sepse në dijeninë time nuk kanë shqyrtuar ende këtë projektligj”, u shpreh Braçe.Pas diskutimeve, anëtarët e opozitës u larguan nga mbledhja, ndërkohë që Kryetari i Kuvendit u shpreh:“Është e drejta juaj të mbani qëndrimin tuaj, dhe a është normale që të quhet kushtetuese qëndrimi i znj. Xhuka që të refuzonte të paraqitej në Komisionin e Ligjeve edhe pse varet nga Parlamenti, apo duke mos bërë asnjë kallëzim penal për më shumë se një vit në atë detyrë të rëndësishme”.Në fund, Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.