Shumica nuk pret më PD-në, ndryshimet e nëpunësit kalojnë në Kuvend
Tensionet pozitë-opozitë kanë zbritur sot në konferencën e kryetarëve, mbledhja e së cilës është braktisur nga deputetët e opozitës për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me miratimin e kalendarit të punimeve në Kuvend. Duke folur për mediat në dalje të kryesisë, deputeti Eduard Halimi tha se përdorimi i parlamentit si noter për të kapur institucionet është një veprim antikushtetues dhe antiligjor. Sipas tij opozita ngriti edhe një herë si një shkelje të rëndë të kushtetutës dhe ligjit procesin e kapjes së institucioneve.“Kapja e atyre institucioneve të cilët janë aty për të kontrolluar qeverinë është një qëndrim i dënueshëm i këtij parlamenti. Kështu për sa kohë nuk pati një rezultat opozita u largua nga konferenca e kryetarëve. Nuk ka pavarësi institucionesh. Nëse kapen institucionet atëherë nuk ka parlamentarizëm. Nëse qeveria e merr në sqetull kreun e ILDKP-së, kujt do ti japë llogari për deklarimin e pasurive. Parlamenti duhet të ndërpresë ofensivën ndaj AMA-s dhe SHISH. Nuk mund të ketë parlament në rast se nuk kthehet kushtetutshmëria në institucione dhe të ndërpritet ofensiva ndaj tyre. Ne kërkuam që në kalendar të futet axhenda e respektimit të institucioneve, si një kusht kryesor për integrimin. Ne ishim në Strasburg dhe ishim duke diskutuar rreth kësaj çështjeje, që kishte një ndjeshmërinë nga të gjithë eurodeputetët. Ndërsa ne ishim aty u bë shkarkimi i drejtuesit të një institucioni tjetër. Ne në parlament do të vazhdojmë t’iu bëjmë të ditur qytetarëve se çështja e respektimit të institucioneve duhet të jetë pikë kryesore e axhendës parlamentare”-pohoi Halimi.Deputeti i PD shtoi më tej se ofensiva e qeverisë për kapjen e institucioneve të pavarura rrezikon seriozisht integrimin evropian të Shqipërisë.Nga ana tjetër, Ministri Ilirian Celibashi, tha se opozita vazhdon të ngrejë si një shqetësim çështjen e institucioneve.“Mirë do të ishte që kalendari të kalonte me maxhorancën dhe opozitën. Por kjo gjë nuk u arrit sepse opozita vazhdon të ngrejë si një shqetësim çështjen e institucioneve. Ndërkohë më tej ai u shpreh se çështja e përfshirë në kalendar për kreun e AMA-s është duke u shqyrtuar” theksoi Ministri.