Basha: Politikat fiskale efekt negativ, qeveria të marrë masa për të dalë nga situata

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, fajësoi qeverinë  për  krizën ekonomike dhe papunësinë në vend, si pasojë e rritjes së taksave, duke kërkuar rishikimin e çdo forme a mënyre për rigjallërimin e ekonomisë."Gjendja aktuale është jo e dëshirueshme, ekonomia është nën presionin e shumëllojshëm, por në veçanti nën presionin e një pakete fiskale të paarsyeshme. Mendoj se politik-bërësve, qeverisë i takon përgjegjësia të rishikojë me shpejtësi mënyrat dhe masat për t'i ardhur në ndihmë këtij sektori dhe çdo sektori tjetër të ekonomisë, dhe veçanërisht të prodhimit. Mbi 40 mijë vende pune janë humbur nga ekonomia në muajt e fundit, ky nuk është sinjal i mirë, është një sinjal i keq, një reagim i keq që ekonomia jep ndaj taksave të rritura", u shpreh Basha.Lideri i demokratëve, gjatë vizitës në panairin e mobilerisë, në kryeqytet  shprehu mbështetjen e plotë të opozitës për çdo masë, që do të çojë në lehtësimin e kushteve dhe lehtësirave fiskale për këtë sektor dhe sektorët e tjerë të prodhimit.“Shpreh po kështu, gadishmërinë tonë për të përmbushur dhe për të mbështetur me çdo masë të mundshme për këtë sektor dhe të gjithë sektorët e tjerë të prodhimit në Shqipëri. Situata e punësimit, situata e humbjeve të vendeve të punës  dhe jo krijimit të vendeve të reja është një këmbanë e madhe alarmi. Kjo situatë, vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i presionit të taksave të larta, ndaj i bëj thirrje qeverisë të shqyrtojë me përparësi dhe urgjencë këtë situatë dhe të propozojë menjëherë masat për daljen nga kjo situatë e krijuar”, tha kreu i opozitës.Sipas Bashës Shqipëria  ka nevojë për stimulim të investimeve, të konsumit, si dhe stimulim të punësimit për të dalë nga situata aspak e favorshme,  një situatë tejet e  rëndë ekonomike-sic e quajti ai.