Lamtumira për motrat Dobrushi, ceremonia mortore në shtëpinë e tyre në Kukës
Zakonisht ëngjëjt vijnë prej qiellit, por këtë herë bashkë me dhimbjen i solli deti i praruar si kurrë më parë.

3 vajzat e vogla viktimë e çmendurisë së nënës së tyre janë kthyer në atdheun që nuk e shijuan dot, për të qënë të përjetësuara si kujtimi më i hidhur i jetës së tyre të prerë në mes.
Simona, Kejsi dhe Sindi kanë bërë udhëtimin e fundit nga Italia drejt vendit të origjinës së babait të tyre duke sjellë me vete edhe një mal të madh me dhimbje.


Babi nuk i mban dot lotët e dhimbjes e të vetmet fjalë i ka postuar në një letër që mbledh gjithë dhimbjen e jetës e të varrit.
"Të dashura, Simona, Keisi e Sindi. Eshtë babai juaj ai që ju shkruan me zemrën të mbytur nga dhimbja. Nuk e kuptoj. Nuk jam ende në gjendje ta bëj, por nuk dua të gjykoj nënën tuaj. Na mungoni të gjithëve, prindërve dhe miqve, neve që nuk kuptuam dhe imagjinuam dot që diçka e tillë mund të ndodhte" .
Ky port ka sjellë kaq shpesh kortezhe mortore, por asnjëherë një të tillë me ëngjëj.
Familjarët që kanë pritur me orë në kalatën e trageteve ende nuk e besojnë dot që 3 vogëlushet vijnë të mbyllura në përjetësi, e jo me gëzimin që sillnin kur zbrisnin nga shkallët e tragetit.
Pas mbërritjes në port arkivolet me 3 vajzat janë nisur drejt Kukësit, ku edhe është vendi ku do të prehen në përjetësi.Simona, Kejsi dhe Sindi u vranë tragjikisht në Lecco të Italisë nga nëna e tyre Edlira Dobrushi në një moment çmendurie nga tronditja psikologjike që po kalonte pas divorcit.

Para nisjes për në Shqipëri për 3 vogëlushet edhe Komuna e Leccos në Itali zhvilloi ceremoni të veçanta, duke përcjelle me dhimbje 3 ëngjëjt e qytetit të vogël italian.