Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, përplasen dy makina, vdes drejtuesi i furgonit
Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar lehtë në një aksident rrugor të regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Ngjarja ka ndodhur në hyrje të Sukthit në Durrës, ku një makinë tip BMW është përplasur më një furgon të një fabrike private mishi dhe për pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i furgonit Marsel Rrapi dhe ai i makinës, Ilir Ajazi.
Përplasja ka qenë e fortë mes mjeteve, ku furgoni pas aksidentit është përmbysur.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për marrjen e ndihmës mjekësore, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve 28-vjeçari që drejtonte furgonin ka ndërruar jetë në spital, ndërsa i plagosuri Ilir Ajazi ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forca të policisë, të cilët po hetojnë për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit, ndërsa kanë shoqëruar në polici 29-vjeçarin Ilir Ajazaj që drejtonte mjetin BMW me targa AA 944 CZ.