Mbushen 6 vjet nga tragjedia e Gërdecit, Kodheli: Berisha e keqpërdori, nuk u bë drejtësi

Në vizitën e parë të saj si Ministre e Mbrojtjes në Gërdec, vizitë e cila përkonte me 6 vjetorin e shpërthimit tragjik, Mimi Kodheli drejton gishtin nga qeveria e kaluar për ngjarjen dhe pasojat e saj. “Për fat të keq sot jemi pas 6 vjetësh në një nga vendet që nuk do harrohen lehtë, për shkak të trishtimit që shkaktoi ngjarja e jashtëzakonshme si shpërthimi i Gërdecit, me 26 qytetarë të vrarë, qindra të plagosur , qindra shtëpi të dëmtuara, qindra biznese të dëmtuara po ashtu. Ne e konsiderojmë sot Gërdecin një pikë që duhet akoma të pastrohet. Pas një pune të bërë nga ndërkombëtarët për rehabilitimin e mundshëm të kësaj zone, ne sot kemi akoma shumë për të bërë megjithëse kemi dhënë një premtim që pastrimi do mbarojë rreth muajit shtator. Janë rreth 68 mijë metra katror, janë rehabilituar vetëm 7 mijë metra katror nga FA, të cilat i janë rikthyer komunitetit, janë parë me mjete kërkuese rreth 25% e gjithë zonës së dëmtuar dhe ka dhe 30% që është parë me sy, por nuk është verifikuar me mjetet mina kërkuese. Ky është një proçes, ka rreth 25 pjestarë të FA që përditë përballen me këtë situatë. Ne do ti rikthejmë këtij vendi dhe kësaj ngjarje të trishtë një realitet tjetër, atë të rehabilitimit të kësaj zone. Ne duhet ta përkujtojmë këtë ditë, për të mos u kthyer më kurrë, për të mos bërë ato gabime dhe abuzime që u bënë me ligjin, të drejtën për të jetuar, të drejtën për të punuar në kushtet e një vendi që nuk meritonte të kishte këtë përgjgije që mori. Por kishte një qeveri që keqmenaxhoi, keqpërdori dhe abuzoi me një biznes të tillë, pasojat i dimë të gjithë se cilat janë. Sot ka disa disa proçese gjyqësore të pambyllura, të gjitha janë drejt fundit. Mendoj se qeveria do të bëjë atë çfarë është më e mira për qytetarët që janë dëmtuar këtu dhe bizneset. Ju e dini se ka probleme pushteti ligjor, jemi këtu për të reformuar një pushtet që jo domosdoshmërisht ka qenë nga ana e të drejtit, nga ana e më të dobtit gjithmonë. Ky është një proçes që po e vëzhgojmë nga afër, për të cilin kemi bërë shumë kur kemi qenë në opozitë dhe do bëjmë akoma më shumë tani që jemi në qeverisje” tha ajo.Kodheli ka inspektuar nga afër punën që është bërë dhe po bëhet në Gërdec, për ti rikthyer banorëve tokën e infektuar nga predhat dhe mortajat.“Nuk ka më elementë të cilët njerëzit janë të interesuar, zonat janë të kufizuara, të rrethuara dhe nuk ka lehtësisht akses të qytetarëve në zonat që janë akoma të nënvizuara. Ne po punojmë intensivisht dhe kjo është pothuajse me rrezik zero të paktën për qytetarët. Këtu janë akoma disa elementë që përbëjnë rrezik për jetën, por ky është një proçes që për shkak të atyre qindra tonelatave që janë hedhur në erë është proçes që ka kërkuar kohën e vet. Shqipëria sot numëron rreth 12-13 hotspote të një natyre të ngjashme, por jo të këtyre përmasave. Është në fokusin tonë për të realizuar një fond me donator të huaj me një institucion si OSBE në krye të punëve për të mundësuar një pastrim të Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë të pastrohet dhe jo vetëm në hostpotet me begraund militar, por dhe natyrave të tjera. FA dhe Ministria e Mbrojtjes gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë në ballë të disa aksioneve që kanë pasur impaktin e tyre.Të gjitha hospotet janë të rrethuara dhe siguruara momentalisht, nuk ka akses të qytetarëve në to”deklaroi Kodheli.Kodheli ka folur edhe për proçesin gjyqësor për këtë çështje. Ajo ka aqruar se sistemi i drejtësisë ka mjaft pikëpyetje dhe ka nevojë për formatim.“Ka pasur një proçes i cili sigurisht ka pasur rezultatet e veta. Pushteti ligjor është një pushtet që ka qenë i vënë në pikëpyetje dhe vazhdon të jetë edhe sot. Sepse ka korrupsion brenda, është i pareformuar, sepse nuk është atje ku meriton ta ketë një vend që funksionon me një demokraci të caktuar dhe i cili aspiron të marrë statusin e kandidatit dhe më shumë se kaq. Ka nevojë për reforma, ristrukturim, ka nevojë për riformatim të proçeseve të ligjeve dhe sitemit të vet. Jam e bindur se qeveria do jetë në front të parë të këtyre reformave, sepse vetëm kështu ne mund të bëjmë sado pak për atë çfarë u humb në një ngjarje tragjike, si ajo e Gërdecit” theksoi Ministrja.Familja Delia është një nga më të prekurat e tragjedisë së Gërdecit, e cila ka humbur 7 persona. Gezim Delia shprehet se edhe pse kanë kaluar 6 vite dhimbja e tyre është e njëjtë.