Pique: Ronaldo njeri i madh jashtë fushave

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, insiston se imazhi publik i Cristiano Ronaldos nuk korespondon me atë se si është futbollisti i Real Madridit në jetën reale. Futbollisti portugez është kritikuar shpesh për arrogancën e tij në fushën e blertë, ndërsa mbrojtësi spanjoll është shprehur se CR7 është një njeri i shoqërueshëm jashtë fushës."Ai ka qenë më shumë se duhet i sinqertë, kur është shprehur se njerëzit janë xhelozë me të sepse është i pashëm, i pasur dhe lojtar i madh", ka thënë Pique për të përditshmen spanjolle, “Marca”.Më tej mbrojtësi i blaugranëve shtoi:"Unë e njoh mjaft mirë dhe ai është një djalë i shoqërueshëm. Imazhi i tij publik nuk korrespondon me atë se si është në jetën reale", vazhdoi ish futbollisti i Manchester Unitedit, që ka qenë shok skuadre me portugezin në periudhën 2004-08 në “Old Trafford”.Pique la Unitedin për Barcelonën në verën e vitit 2008, ndërsa Ronaldo e ndoqi rrugën e tij pas një viti, duke iu bashkuar Real Madridit. Ata kanë marrëdhënie të mira, me gjithë se janë kundërshtarë në kampionatin spanjoll. Të dy janë thuajse të pazëvendësueshëm në skuadrat e tyre teksa Pike është pikë kyçe në mbrojtje ndërsa Ronaldo nuk ka të dytë në sulm. Shkurt, yje në fushë dhe jashtë saj.