Ujkani: Duka e di arsyen e largimit tim nga Kombëtarja

Samir Ujkani, në një intervistë ekskluzive për gazetën kosovare "Express", ka treguar arsyen përse është larguar nga Kombëtarja shqiptare. Portieri i Palermos ka rrëfyer për eksperiencën si kuqezi dhe për momentin e vështirë që t'i thotë lamtumirë Shqipërisë."Vendimin tim për t'u larguar nga Kombëtarja shqiptare e di presidenti Armand Duka. Unë nuk jam kundër këtij vendi e as kundër FSHF-së, por janë disa persona brenda ekipit që më kanë detyruar ta marr këtë vendim shumë të vështirë", ka deklaruar Ujkani.Portieri, në vitin 2007 ishte bashkuar me ekipin U-21 të Shqipërisë, ndërsa pas një viti debutoi edhe me Kombëtaren A, ku ka zhvilluar mbi 20 ndeshje. Në fund, Ujkani ka falenderuar FSHF-në dhe presidentin Duka:"Kam refuzuar Belgjikën për Shqipërinë, sepse jam shqiptar. Falenderoj FSHF-në për mundësinë që më ka dhënë të luaj me Kombëtaren, dhe të ndihem shqiptar. E falenderoj presidentin Duka shumë, sepse ka qenë afër meje gjithmonë. Ai më ka telefonuar kur kam qenë i dëmtuar, por edhe kur nuk kam pasur momente të mira me ekipin. Të luaj për Kosovën? Mezi e pres, do të jetë vërtetë emocionuese. Ne do ja nisim nga zero. Kombëtarja jonë ka shumë talente brenda dhe jashtë vendit dhe shpresoj të bëjmë një grup të fortë" - ka përfunduar intervistën e tij Ujkani.