Editorial nga Eugen Wollfarth:Të drejtat e njeriut kanë nevojë për të gjithë ne

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth ka publikuar sot një editorial me rastin e ditës së të drejtave të njeriut në të cilën kërkon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve dhe faktorëve  në vend për respektimin e këtyre të drejtave.Ambasadori Wollfarth thekson në editorial se në 2012-ën, Shqipëria ka arritur nivelin më të lartë që ajo ka pasur ndonjëherë sa i përket të drejtave të njeriut por sipas tij ky nuk është fundi i historisë dhe as fundi i punës së nevojshme.Ja editoriali i plotë i ambasadorit të OSBE-së Eugen WollfarthNë një këngë të mrekullueshme dashurie të viteve '60, Beatles-at pyesnin: "A do të kesh ende nevojë për mua, a do të më ushqesh ende kur të jem 64 vjeç?" Gjashtëdhjetë e katër vjet më parë, në 1948-n, kur u shpall Deklarata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, Shqipëria ishte nën një diktaturë komuniste mizore. Asokohe, Shqipëria ishte në një stad vetëshkatërrimi, duke kryer të gjitha llojet e krimeve ndaj popullatës së vet, për dekada të tëra. Tani, në 2012-n, Shqipëria mund të tregojë një tjetër histori, shumë më të mirë. Ajo iu bashkua, dy dekada më parë, kombeve, që, në gjithë botën, kujdesen dhe janë "të dashuruara" me të drejtat e njeriut.Që nga 1997-a, viti kur u krijua Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, misioni im dhe ai i shumë të tjerëve kanë kontribuar në promovimin e të Drejtave të Njeriut, në të gjitha aspektet e jetës në Shqipëri. Të Drejtat e Njeriut përbëjnë një qëllim themelor dhe më fisnikun në mandatin tonë. Sot, të drejtat e njeriut dhe promovimi i tyre përfshin të gjitha aspektet e punës sonë. Si angazhime thelbësore për Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfshirë Shqipërinë, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është "përgjegjësia e parë e qeverisë". Në i ndihmojmë autoritetet shqiptare në mbështetje të përpjekjeve të tyre për reformimin dhe forcimin e Shqipërisë, me një fokus të veçantë te të drejtat e njeriut.Në 2012-n, Shqipëria ka arritur nivelin më të lartë që ajo ka pasur ndonjëherë sa i përket të drejtave të njeriut. Por ky nuk është fundi i historisë dhe as fundi i punës së nevojshme.Mandati Prezencës së OSBE-së i ngarkon departamentet tona tematike me detyrën për të përfshirë në veprimtaritë e tyre një gamë të gjerë çështjesh të lidhura me të drejtat e njeriut. Po përmend vetëm disa nga shembujt më të fundit: në kuadër të asistencës që ne i ofrojmë policisë, janë kryer trajnime për diversitetin, një trajnim strategjik për nivelet e larta të policisë dhe një trajnim për trajnues me instruktorët dhe trajnuesit e Policisë së Shtetit Shqiptar. Të respektosh diversitetin do të thotë zero tolerancë ndaj çdo lloj diskriminimi, veçanërisht edhe brenda institucioneve shtetërore. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Tiranë, me Bashkinë e Tiranës dhe me Fakultetin e Arteve të Bukura, Prezenca organizoi projektin 'Art në autobus' si fushatë ndërgjegjësimi ndaj dhunës në familje, nëpërmjet posterave të krijuar nga studentë të arteve.Prezenca e OSBE-së promovon edhe zbatimin e parimeve të qeverisjes së mirë si në nivel qendror edhe në atë vendor. Këtu përfshihet mbështetja e iniciativave që trajtojnë shkaqet rrënjësore të korrupsionit, pastrimit të parave, trafikimit dhe migrimit të paligjshëm, si dhe promovimi i pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe në llogaridhënie. Vetëm një qeveri pjesëmarrëse dhe transparente, si në nivel qendror edhe në atë vendor, do të garantojë plotësisht të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët. Për këtë arsye, Prezenca ka organizuar aktivitete që mbështesin zbatimin e Konventës Aarhus e cila promovon të drejtën për informim si një parim i rëndësishëm i të drejtave të njeriut. E drejta themelore për gjykim të drejtë dhe mundësia e barabartë për t'iu drejtuar një gjyqësori të pavarur dhe transparent, si dhe e drejta e personave që iu është kufizuar liria për t'u trajtuar me dinjitet janë në themel të aktiviteteve të Prezencës në lidhje me reformën gjyqësore dhe të burgjeve. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka inkurajuar në mënyrë aktive format alternative ndaj dënimit me burgim dhe punon me Ministrinë e Drejtësisë për të zhvilluar legjislacionin dhe standarde trajnimi për institucionin ende të ri të Shërbimit të Provës.Që nga themelimi i saj në Shqipëri, në vitin 1997, Prezenca e OSBE-së ka parë përparim të dukshëm në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe përgjegjësisë. Vetëm vitin e kaluar janë marrë hapa domethënës: ka pasur përmirësim në drejtim të mbrojtjes së lirisë së shprehjes nëpërmjet ndryshimeve më të fundit të Kodit Penal. Në sistemin e drejtësisë, sistemi i sapokrijuar i mbikëqyrjes elektronike është një hap madhor drejt përmirësimit të të drejtave të personave të akuzuar si dhe personave të cilëve iu është kufizuar liria, duke u dhënë atyre mundësinë për të dalë nga sistemi i burgjeve, duke qenë ende nën mbikëqyrje. Kjo do të thotë përmirësim të jetesës së tyre dhe reduktim të shpenzimeve për Buxhetin e Shtetit, të cilat mund të përdoren për qëllime të tjera. Për herë të parë këtë vit, nga Qendra e Formimit Policor janë diplomuar po aq oficere femra sa meshkuj, çfarë tregon një përpjekje, që duhet lavdëruar, drejt adresimit të çështjeve të diversitetit dhe gjinore.Institucionet shqiptare kanë kontribuar në këtë situatë të përmirësuar të të drejtave të njeriut në vend. Në Shqipëri numërohen një sërë institucionesh mandati i të cilëve është promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe kërkesa e llogarisë ndaj institucioneve të tjera në rast shkeljesh. Puna solide e Avokatit të ri të Popullit, në rolin e tij si mbrojtësi publik i të drejtave të njeriut për të gjithë, dhe veçanërisht për pakicat, ka përforcuar dukshëm mbrojtjen që i bëhet në përgjithësi të drejtave të njeriut në vend.Çdo qytetar është dhe duhet të ndihet pjesë e strukturës shtetërore të Shqipërisë si dhe duhet të kontribuojë në këtë drejtim. Kjo ka rëndësi të veçantë gjatë zgjedhjeve, kur qytetarët kanë të drejtën më të madhe demokratike: të drejtën për të votuar, për ta bërë këtë lirisht dhe për të vendosur për qeverinë e ardhshme. Por mos të harrojmë se, edhe në jetën e përditshme, qytetarët kanë të drejtën dhe përgjegjësinë për të kontribuar në strukturën e Shtetit, së pari e mbi të gjitha, nëpërmjet një ndërveprimi të respektueshëm, Miteinander në shoqëri. Respekti ndaj tjetrit duhet të fillojë në familje. Gratë dhe fëmijët bien shumë shpesh viktimë e dhunës në familje. Dhuna në familje është shkelje e të drejtave themelore të njeriut.Sa u përket fëmijëve dhe të rinjve, do të doja të ndalesha në një të drejtë specifike të njeriut, e cila do të ndihmojë në garantimin e respektit reciprok dhe mirëkuptimit në shoqëri: e drejta për arsim. Arsimi është një e drejtë themelore e njeriut dhe thelbësore për ushtrimin e të gjithë të drejtave të tjera të njeriut. Ajo promovon liri dhe fuqizim të individit dhe sjell zhvillim të rëndësishëm. Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së kanë njohur rëndësinë e kësaj të drejte dhe janë angazhuar për të siguruar "akses nga të gjithë në të gjitha llojet dhe nivelet e arsimit pa diskriminim për shkak të racës, ngjyrës, bindjeve politike apo të tjera, origjinës kombëtare apo sociale, pronës, statusit të lindjes apo ndonjë statusi tjetër." (Vjenë, 1989)Arsimi gjithëpërfshirës është themeli i një shoqërie jo vetëm tolerante, por edhe të begatë. Për të ndërtuar një Shtet gjithëpërfshirës dhe të suksesshëm ekonomikisht, ku çdo individ merr përgjegjësi për mirëqenien e përgjithshme të vendit, më lejoni të theksoj rëndësinë e veçantë të edukimit qytetar. Të kuptuarit se si funksionojnë institucionet shtetërore, thellimi i njohurisë në lidhje me parimet dhe vlerat themelore demokratike të një Shteti, si dhe roli i çdo qytetari për këtë qëllim, formojnë bazën e përfshirjes së ardhme qytetare dhe si rrjedhojë bazën e një Shteti demokratik pluralist. Dhënia prioritet edukimit qytetar dhe mbi të drejtat e njeriut nuk është vetëm një pjesë thelbësore e përmbushjes nga Shqipëria e angazhimeve të OSBE-së, por edhe hap thelbësor në promovimin e një vendi modern, me stabilitet e demokratik që përkrah të drejtat e njeriut për çdo individ. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka promovuar në mënyrë aktive këtë koncept nëpërmjet veprimtarive me përfshirje qytetare për të rinjtë, në bashkëpunim me nxënës të shkollave të mesme nga zona të ndryshme të vendit. Ne kemi mbështetur organizimin e një vizite të nxënësve nga Tirana, Kukësi dhe Vlora në zyrat e disa prej autoriteteve më të larta të Shtetit, si Presidenti e Kryeministri, në Parlament dhe në Gjykatën Kushtetuese. Projekte të tillë kontribuojnë për të kuptuar më mirë të drejtat e njeriut dhe përgjegjësitë e qytetarëve, funksionet e një demokracie kushtetuese dhe të qenit qytetarë efektivë dhe të përgjegjshëm.Këto përgatitje do të ndihmojnë edhe për të siguruar që Shqipëria do të forcojë më tej rolin e saj model në rajon, si një vend ku komunitetet etnike të ndryshme dhe fetë e ndryshme bashkëjetojnë në paqe. Vazhdimi i këtij roli të rëndësishëm tolerance meriton kujdes dhe përkushtim të vazhdueshëm.Pas 64 vjetësh të shpalljes së të Drejtave të Njeriut, me të gjitha arsyet, mund të themi: "Po, do t'ua kemi ende nevojën, do të vazhdojmë t'i ushqejmë, të gjithë ne - njerëzit e lirë dhe paqedashës, anë e mbanë globit!