“Në Europë përmes zgjedhjeve të lira”, PS forum në Lezhë
Partia Socialiste ka organizuar në qytetin e Lezhës Forumin “Në Europë përmes zgjedhjeve të lira” për të diskutuar mbi problematikat e zgjedhjeve të kaluara, ndërhyrjet e paligjshme të qeverisë për t’i manipuluar këto zgjedhje duke shkatërruar kështu standardet e tyre, si dhe perspektivën për të garantuar zgjedhje të drejta, të lira e të ndershme në këtë vend. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë fjalës së tij vuri theksin në faktin se kjo është beteja e çdo shqiptari që do ndryshim.“Ka shumë njerëz që na drejtohen ne, më drejtohen mua personalisht dhe thonë si do ta mbrosh votën ti. Në fakt kjo tregon se shumë njerëz nuk arrijnë të kuptojnë që kjo nuk është beteja mes dy skuadrash që luajnë futboll, si do ta bëjnë golin ata si do ta mbrojmë portën ne. Kjo është beteja e secilit, sepse kur një parti vjedh zgjedhjet dhe merr pushtetin me vota të vjedhura nuk të llogarit më. Ajo që e bën qeverinë në një sistem demokratik ta llogarisë qytetarin, është fakti se qytetari e ka qeverinë në dorë”, ka thënë Rama.Kryesocialisti më tej është ndalur në pasojat tejet negative që kanë për vendin manipulimi dhe vjedhja e zgjedhjeve, që sipas tij është kryesor burimi i degradimit të qeverisjes dhe baza e degjenerimit të shtetit.“I gjithë ky degjenerim dhe ajo që ndodhi, që Shqipëria u katandis jashtë Europës, sepse parametrat e korrupsionit të Shqipërisë tanimë, sipas Transparencës Ndërkombëtare, janë të barabarta me parametrat e korrupsionit me Nigerinë dhe Etiopinë, simbole botërore të korrupsionit, lidhet drejtpërdrejtë me faktin që këtu vidhen zgjedhjet. Lidhet drejtpërdrejtë me faktin që të zgjedhurit për të qeverisur nuk e ndjejnë veten të varur nga populli”, ka theksuar kreu i PS-së.Ndërsa Sekretari i PS, për çështjet e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, i cili duke shpjeguar ndryshimet që janë bërë në Kodin Zgjedhor ka folur për garancitë që jep ky kod, për sigurimin e zgjedhjeve.“Në reformën zgjedhore, që u realizua kemi më shumë garanci se ç’kemi pasur me ligjin e mëparshëm. Duke filluar që nga listat e zgjedhësve, me mundësinë që kemi për t’i kontrolluar dhe për t’i përgatitur në kohë, ashtu edhe në verifikimin e kartave në Tiranë, pasi ju e dini që Tirana ka qenë një platformë e vërtetë abuzimi edhe për faktin e lëvizjes së popullsisë në Shqipëri. Ashtu sikurse edhe me rastet e ngjashme me të Dajçit, për mundësinë që do të ketë KQZ, të shkruar qartazi në ligj, që sa herë të ketë shënime të tilla, apo pretendime, ato të hapen dhe materialet të hetohen nga KQZ, në mënyrë që ta nxjerrin të vërtetën në shesh përpara syve të popullit”, ka theksuar Gjiknuri. Deputeti socialist është shprehur se ligji është më i mirë, por ligji nuk është gjithçka. “Sa më shumë të dalim në votime dhe të gjithë, secili nga ne të jemi jo vetëm votues, por edhe komisionerë të vetes sonë, pasi kështu ruajmë të ardhmen tonë për katër vjet dhe që asgjë tjetër nuk mund ta tregtojë”, ka thënë Gjiknuri.