Panariti, Lidington: Britania do të ndjekë me vëmendje zgjedhjet

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, pati një takim me Ministrin për Evropën të Britanisë së Madhe, David Lidington. Në fillim të takimit të dy bashkëbiseduesit i cilësuan të shkëlqyera marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe shtruan nevojën e thellimit të tyre në të gjitha fushat, veçanërisht atë ekonomike. Ministri Lidington e uroi Ministrin Panariti për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit.Më tej, Ministri Panariti u ndal në procesin e reformave që janë ndërmarrë në vend në kuadrin e procesit të integrimit evropian. Ai theksoi se njohja nga Këshilli i Ministrave të BE e zhvillimeve pozitive që janë shënuar në Shqipëri, nëpërmjet dhënies së statusit të vendit kandidat në BE, do të ishte një inkurajim i fuqishëm për vazhdimin e progresit të reformave me synimin që vendi të jetë i gatshëm për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE në të ardhmen e afërt. Dhënia e këtij statusi do të ishte, gjithashtu, inkurajim për politikën konstruktive të Shqipërisë ndaj vendeve të rajonit.Frenimi i perspektivës evropiane të Ballkanit Perendimor do të nxiste tendendat ekstremiste dhe nacionaliste, të cilat do të cenonin stabilitetin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë të mirë në rajon. Ministri Panariti theksoi, gjithashtu, se një sfidë madhore për vendin do të jetë organizimi vitin e ardhshëm të zgjedhjeve sipas standardeve më të përparuara demokratike.Nga ana e tij Ministri britanik vuri në dukje se Britania e Madhe mbështet ambicjet e Shqipërisë për t’u integruar ne BE. Ai përshëndeti progresin e shënuar nga Shqipëria në drejtim të plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian, të cilat u evidentuan në raportin e fundit të progresit.Ai shtroi domosdoshmërinë për miratimin në një kohë të shpejtë të ligjeve të mbetura pasi në këtë mënyrë do të krijoheshin kushtet për një qëndrim pozitiv të Këshillit të Ministrave të BE për dhënien e statusit të vendit kandidat. Në vijim, Ministri britanik theksoi se Britania e Madhe do të ndjekë me vëmendje organizimin vitin e ardhshëm të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të cilat duhet të respektojnë standardet më të mira demokratike.Më tej të dy ministrat u ndalën në situateën në rajon, ku vlerësuan posaçërisht rezultatet e dialogut mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë me mbështetjen e BE-së.