Dështon tentativa e arratisjes në Greqi, kapet në Bilisht autori i vrasjes mafioze
Burime nga policia lokale e këtij qarku bëjnë me dije se Odise Verbofshi është ndaluar në Bilisht pa arritur të përfundojë arratisjen e tij. 32-vjeçari Verbofshi, është i dyshuari kryesor për vrasjen e dy të rinjve nga Fushë-Kruja, Shaban Babasi dhe Alfred Kasalla, të cilët pasi u ekzekutuan në kokë me plumb, janë gjetur të shkrumbuar brenda një automjeti, ku njeri prej trupave ndodhej i mbyllur në bagazhin e tij.

Grupi hetimor pas hetimeve ka vërtetuar se vrasja e dy të rinjve ishte kryer në banesën e autorit të vrasjes në zonën e Shkozetit dhe më pas trupat e pajetë janë transportuar pranë ish-Kënetës.
Nga hetimet e para, policia ka ngritur dyshimet se shkak për këtë ngjarje të rëndë ka qenë prishja e pazareve të drogës, ndërkohë që ka arrestuar edhe bashkëpunëtorin e 32-vjeçarit, Odise Verbofshi, Gazep Pili, i cili ka njëkohësisht edhe lidhje gjaku me autorin, si dhe ka sekuestruar në vendgjarje dy pistoleta dhe 74 kilogramë lëndë narkotike .Nëna e vrasësit: Nuk i marrim avokat, Leta Verbofshi: Djali im meriton dënim të rëndë
Shteti të japi dënimin e merituar për djalin tim. Kështu ka deklaruar Leta Verbofshi, nëna e 32-vjeçarit Odise Verbofshi autor i krimit makabër që ndodhi dy ditë më parë në Shkozet të Durrësit.

E shokuar nga ngjarja e rëndë, Leta Verbofshi ka deklaruar se ajo ka qenë në shtetin Italian kur është vënë në dijeni të asaj ç'ka ka bërë djali, ndërsa ka shprehur ngushëllimet për familjarët e dy të rinjve nga Fushë-Kruja që djali i saj i ekzekutoi.
“Shpreh ngushëllimet tona për këtë që ka bërë djali ynë. Ai meriton të kalbet në burg dhe ne nuk kemi pse ti gjejmë as avokatë. Le të marri dënimin që i takon. Nuk më intereson djali që është në burg, më vjen keq për familjarët, për dhimbjen e tyre dhe dua të ndaj dhimbjen me ta. Më shumë kemi ardhur për familjarët e viktimave dhe këto janë fjalë zemre”, shprehet nëna e Odise Verbofshit.Autori i ngjarjes, Odise Verbofshi, është arrestuar në Korçë gjatë tentavës së tij për tu arratisur në Greqi dhe është i dyshuari kryesor mbi vrasjen e Shaban Babasit dhe Alfred Kasallës.