Venizelos: Shqipëria meriton statusin. Zyrtari grek takime me krerë të shtetit e politikës

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Evangjelos Venizelos, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri, në kuadër të mbajtjes së Presidencës greke në Bashkimin Evropian.Gjatë takimit, Presidenti Nishani tha se integrimi në BE përbën një interes kombëtar strategjik për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe e siguroi zotin Venizelos për vendosmërinë e institucioneve dhe shoqërisë shqiptare në vazhdimin e reformave të nevojshme për arritjen e standardeve, duke nënvizuar gjithashtu angazhimin për bashkëpunim të plotë me Presidencën greke dhe gjithë institucionet e partnerët evropianë në synimin e përbashkët për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.Më tej, Presidenti shprehu besimin në angazhimin e Presidencës greke për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në qershor 2014, ndërsa vlerësoi lart objektivat e Presidencës greke dhe, në mënyrë të veçantë, bashkëpunimin e Greqisë dhe Italisë për shpalljen e vitit 2014, “Vitin e Mesdheut”.Duke vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe si shumë të rëndësishme për vendet tona, për integrimin evropian të Shqipërisë dhe për rajonin, Presidenti u shpreh optimist në një afrim dhe zhvillim të shpejtë të bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve dhe popujve tanë, bazuar në vullnetin dhe angazhimin praktik konkret për zgjidhjen e çështjeve të hapura, si edhe në objektivat e përbashkëta.Nga ana e tij, zoti Venizelos tha se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe se Greqia do të vazhdojë mbështetjen e saj dhe përpjekjet diplomatike me partnerët evropianë që Shqipëria ta arrijë këtë objektiv në qershor.Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot në Kuvend Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Evangelos Venizelos, në kuadër të Presidencës Greke të Këshillit të Bashkimit Evropian.Kryetari i Kuvendi Meta vlerësoi angazhimin e Greqisë në funksion të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe theksoi se Shqipëria mbështetet tek Greqia dhe pesha e saj gjatë Presidencës së Këshillit të BE-së për të avancuar me përmbushjen e prioriteteve të Komisionit Evropian.Meta shprehu angazhimin për avancimin e reformave të rëndësishme që kërkojnë qytetarët duke rikonfirmuar se Kuvendi i Shqipërisë do të luajë rolin e tij në funksion të mbarëvajtjes së një fryme dialogu konstruktiv dhe produktiv politik mes palëve.Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë Venizelos rikonfirmoi angazhimin maksimal të Greqisë gjatë Presidencës së radhës së Këshillit të BE-së, duke vënë në dukje se përshpejtimi i axhendës evropiane të Shqipërisë do të jetë një nga prioritetet kryesore gjatë muajve të ardhshëm.Venizelos vuri në dukje se përmbushja e prioriteteve të BE-së nga ana e qeverisë shqiptare do të jetë një shtysë e rëndësishme për progresin e vendit dhe nënvizoi se Greqia e konsideron avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë si kyç për të gjithë rajonin.Meta dhe Venizelos ndanë bindjen se roli i diplomacisë parlamentare ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për perspektivën evropiane të Shqipërisë por përbën një urë solide komunikimi edhe në marrëdhëniet dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë.Basha-Venizelos: Duhet konsensus për çështjet themelore të demokracisëKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot në takim Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Evangelos Venizelos i cili ndodhet në Shqipëri si Kryesues i Këshillit të Bashkimit Europian.Kryetari Basha e falenderoi Ministrin Venizelos për mbështetjen që Greqia i jep Shqipërisë në projektin madhor të anëtarësimit në BE.Basha i shprehu Venizelos, qëndrimin e palëkundur të Partisë Demokratike në mbështetje të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE nga Shqipëria, si dhe për avancimin e mëtejshëm në hapjen e negociatave.Basha shprehu shqetësimin se qeveria nuk ka të njëjtin vullnet për integrimin europian, në të kundërt ajo po ndërmerr hapa që bien ndesh me këtë prioritet kombëtar.Kryetari Basha e njohu zotin Venizelos me pakënaqësinë tashmë mbarëpopullore, për veprimet anti-kushtetuese e antiligjore qe qeveria dhe mazhoranca po ndërmarrin çdo ditë, duke kulmuar me moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Nëpunësin Civil, goditjen ndaj institucioneve të pavarura, si rasti i vendimit anti-kushtetues të shkarkimit të Kryeinspektores së ILDKP-se, vazhdimin e fushatës së shkarkimit të profesionistëve të administratës publike dhe zhbërjen e politizimin e organeve të ruajtjes se rendit, shkeljen e konsensusit për çështjet madhore të lidhura edhe me integrimin e vendit.Basha e informoi Venizelos dhe për hapat e qeverisë për ndërhyrje të njëanshme në reformën zgjedhore të kamufluar nën petkun e reformës territoriale, si dhe fushatën e paprecedentë të sulmit ndaj opozitës, si dhe minimin e konsensusit gjithëpërfshirës dhe dialogut ,që po përvijohet si shtyllë kryesore e akteve dhe retorikës së kësaj mazhorance, duke u larguar nga prioritetet dhe nevojat që shqiptaret kanë përcaktuar tashmë prej dy dekadash, siç është liria, konsolidimi i demokracisë, shteti ligjor dhe integrimi ne BE.Ministri Venizelos, vlerësoi opozitën shqiptare si faktor themelor të demokracisë në vend dhe përgëzoi Partinë Demokratike për rolin konstruktiv dhe të përgjegjshëm që po dëshmon tashmë si opozitë në Shqipëri, duke veçuar mbështetjen e rëndësishme që po i jep të gjithë procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.Ministri i Jashtëm grek theksoi se roli institucional i opozitës duhet respektuar, plotësisht siç e kërkojnë standardet e demokracisë dhe traditës së qytetërimit europian, sikundër duhet respektuar pa asnjë ekuivok shteti ligjor dhe parimet themelore te tij. Ai u shpreh më tej se praktikat Europiane duhen pranuar dhe respektuar, në veçanti konsensusi për çështjet dhe reformat themelore të vendit.Kryetari Basha ripërsëriti qëndrimin e opozitës për konsolidimin dhe moszhbërjen e standardeve të arritura e të certifikuara edhe nga Bashkimi Europian. Ne takim u konfirmua vendosmëria dhe angazhimi për të mbështetur zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh midis të dy vendeve në të gjitha fushat.Kryediplomati Grek nënvizoi se midis dy vendeve tona ka arsye historike e sociale dhe një bazë ekonomike solide për forcimin e marrëdhënieve, ndërsa mbetet që politikanët të vazhdojnë të zbatojnë politikat e duhura në mbështetje të zhvillimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.Në lidhje me qasjen rajonale të vendit të tij, zoti Venizelos u shpreh se Athina i gëzohet dhe mbështet fort dialogun Beograd-Prishtinë, duke veçuar se ka një plan ambicioz bashkëpunimi dypalësh mes Greqisë dhe Kosovës, ndërsa vuri në dukje se Greqia mbështet integrimin evropian të të gjitha vendeve të rajonit.