Durrës, merrnin rryshfet për provimet, në pranga dy pedagogë të Universitetit
Dy pedagogë të universitetit Aleksandër Moisu në Durrës dhe dy studentë janë arrestuar nga policia dhe prokuroria me akuzën e korrupsionit pasiv.Arrestimet janë kryer gjatë operacionit të koduar "MASTER" dhe në pranga kanë përfunduar dy pedagogët e Fakultetit të Infermierisë Endri Sina, 32-vjeç dhe Odeta Tota, 40-vjeçe si edhe dy studentët e këtij Fakulteti Eralda Lika dhe Merushe Buceri. Po ashtu në kërkim është shpallur dhe një tjetër student. Sipas njoftimit të policisë, për katër të arrestuarit është dhënë edhe masa e sigurisë "arrest me Burg".Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorine e Rrethit Durrës, pas një hetimi dy mujor kanë ngritur akuzat për veprat penale "Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike" dhe "Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" në bashkëpunim, pasi dyshohet se të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha të ndryshme kanë favorizuar studentë të këtij fakulteti në provimet e detyrueshme, kundrejt përfitimeve të paligjshme.Sipas policisë për çdo provim pedagogët përfitonin si rryshfet nga çdo student shuma parash që shkonin deri në 15.000 lekë të rinj. Provimet e dhëna më pas nga studentët e Infermierisë korrigjoheshin nga vetë studentet e akuzuar dhe vlerësimi bëhej në vartësi të shumës së dhënë rryshfet nga studenti.