Problem referimet e ulta të policisë, kryeprokurori Llalla: Pengojnë hetimin e dosjeve

Ashtu si në çdo analizë të Prokurorive në rrethet kryesorë, kryeprokurori Adriatik Llalla nuk ka munguar as në atë të Tiranës. Llalla ka vënë në dukje problematikat që hasen nga prokurorët, po në të njëtën kohë ka kërkuar më shumë impenjim nga këta të fundit.Sipas numrit 1 të akuzës gjatë 2013 është shtuar numri i vendimeve për mosfillim të hetimeve. Ndërkohë që vihet re rritje e kallëzimeve dhe referimeve për korrupsion dhe shpërdorim detyre.Ndërsa në analizën e prokurorisë së apelit kreu i Prokurorisë së Përgjithshme ka paralajmëruar ashpërsim të masave të dënimit për krimin ekonomik dhe korrupsionin.Llalla, tha se krimi ekonomik është problem shqetësues për vendin, ndërsa pritshmëritë ndaj organit të akuzës janë të medha në këtë drejtim. Kreu i prokurorëve nga ana tjetër u kërkoi Prokurorëve te apelit kontroll të vazhdueshëm mbi prokurorët e shkallës së parë që kanë në juridiksion.“Ajo çfarë do kërkoja nga prokurorët e Prokurorisë së apelit është ushtrimi i ndikimit të vazhdueshëm mbi prokurorët e shkallës së parë që kanë në juridiksion lidhur me çështjet që ata paraqesin në gjykim, çështje që më pas ankimohen dhe kontrollohen nga ana juaj. Keni gjithë mundësinë dhe hapësirën ligjore për të kontrolluar mënyrën e kryerjes së hetimit nga prokurorët e shkallës së parë nëse veprimet e tyre janë kryer formalisht, në mënyrën e parashikuar në ligj, etj. Të gjitha problematikat duhet të paraqiten në zyrat e prokurorit të përgjithshëm me synim që në ato raste kur konstatohet se puna e prokurorëve apo policisë gjyqësore të shkallës së parë nuk është në nivelin e duhur apo ka problematika ndaj tyre të proçedohet në formën e kërkuar në ligj. Ashpërsimi i politikave të dënimit lidhur me veprat penale në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit do vijojë të jetë një çështje në të cilën prokuroria shqiptare do vazhdojë të mbajë të njëjtin standard, ashpërsimin e kërkesave tona lidhur me masat e dënimit për këto vepra penale. Krimi ekonomik është problem shqetësues, pritshmëria është tepër e lartë në këtë drejtim”tha Llala.Në analizën e prokurorisë së apelit Llalla ka dashur të nxjerrë në pah një tjetër problematike serioze gjatë 2013,ajo e mashtrimit me shitjen e apartamenteve.“Prokuroria e Apelit Tiranë gjatë 2013 ka përballuar një volum në rritje pune në raport me vitin e kaluar, ashtu siç ndeshet pothuajse në të gjitha prokuroritë në shkallë vendi. Vlen të theksohet se në këtë prokurori janë rritur ndjeshëm apelimet nga prokuroritë e shkallës së parë që mbulon prokuroria në Tiranë, të shumë veprave të ndryshme penale, sidmos për ato që u bënë ndryshimet e fundit në kodin penal në vitin e kaluar. Ku për mjaft prej tyre është rritur masa e dënimit për shkak të mos rënies dakord me masën e dënimit të dhënë nga gjykatat e shkallës së parë. Unë vij këtu pas analizës së punës që pati Prokuroria e shkallës së parë në Tiranë, ku një ndër problematikat që ndeshej ishte dhënia e shumë pafajësive nga gjykatat e shkallës së parë lidhur me çështjet penale në fushat e mashtrimeve, problem që kërkohej nga ana e Prokurorisë së apelit nëse nuk do merrte zgjidhjen e duhur ligjore ashtu siç gjykohet nga ana e prokurorëve edhe në gjykatën e apelit, të ushtrohej një rekurs i vazhdueshëm në gjykatën e lartë me synim arritjen e marrjes së një vendimi unifikues, pasi ka filluar të kthehet në një problem shqetësues në fushën e shitblerjes së apartamenteve apo pronave të tjera, është problem shqetësues i kohës së fundit ku kallëzimet në Prokurorinë e Tiranës janë të larta”theksoi ai.I ftuar në analizen e akuzës së apelit, ishte edhe kryetari i gjykatës së Apelit Tiranë Alaudin Malaj, i cili kërkoi nga prokuroria që hetimet të jetë të plota, pasi vetëm në këtë menyrë bashkëpunimi do të ketë rezultat.Ndërkaq drejtori i Prokurorisë së Apelit, Shkëlqim Hajdari gjatë kësaj analize vuri në dukje përhapjen e gjerë të veprave penale e korrupsionit.