Sot projekti fitues për “Lungo Mare”, Rama: Hapi i parë drejt Vlorës së shekullit të ri
Në Vlorë 5 studiot e përzgjedhura nga konkursi po prezantojnë vizionin e tyre para jurisë ndërkombëtare dhe qytetarëve vlonjatë mbi projektin “Lungo Mare”, që do të shtrihet përgjatë bregdetit jonian.
Pas prezantimit pritet të shpallet edhe projekti fitues përmes të cilit synohet shndërrimi i vijës bregdetare të Vlorës në një ndër pikat më tërheqëse të Mesdheut. Këtij aktiviteti i është bashkuar edhe shefi i ezekutivit të qeverisë, Edi Rama, i shoqëruar nga zëvendës.kryeministri Niko Peleshi dhe Ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni.Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Rama tha se ky projekt shënon hapin e parë të madh drejt Vlorës së shekullit të ri, për ta shndërruar atë në portën më të bukur të Mesdheut.
“Projekti shënon hapin e parë të madh drejt Vlorës së shekullit të ri. Jam i bindur se ky vit do jetë me mbresa pozitive për të gjithë ju dhe bashkë do doni të riktheheni në Vlorë. Vlora është vend i bukur që ne të gjithë bashkë do ta bëjmë të njohur botërisht si porta më e bukur të Mesdheut. Projekti na ndihmon ti japim jetë transformimit të vijës brengdetare të Vlorës për tu ndjekur si shembull për vijat e tjera bregdetare, por dhe shembull sa i përket politikave të qeverisë për integritetin territorial, zhvillimin social, të turizmit. Është me rëndësi që ky projekt është edhe shprehje e vetëdijes se përmes dialogut të vizioneve, ideve, qasjeve të ndryshme ne mund të bëjmë zgjedhjet më të mira dhe mbi zgjedhjet më të mira të bëjmë dhe realizimin më të mirë. Proçesi hap një kapitull të ri. Çdo ide e vlefshme do jetë pjesë e integruar në këtë projekt madhor për qytetin tonë që hap siparin e rilindjes për Vlorën” tha Rama.Nga 45 firma që kanë paraqitur projektet e tyre, vetëm 5 u përzgjodhën nga juria ndërkombëtare. Gjatësia e “Lungo Mares” është 5 km nga Pylli i Sodës tek Plazhi Ranor i Vjetër dhe deri tek Tuneli në Uje të Ftohtë, gjatësi që përshkon 70 % vijën bregdetare e cila administrohet nga Bashkia Vlorë.Projekti i vjetër i hartuar nga ky institucion, tashmë është rrëzuar dhe kapte një vlerë prej 63 milion Euro, ndërsa projekti i ri, i cili ka disa kilometra më tepër, do të kërkojë dyfishin e kostos së parashikuar dikur nga Bashkia e Vlorës.“Lungo Mare”, pritet të përfundojnë në verën e vitit 2015 dhe parashikon zgjerim rruge, rehabilitimin e plotë të shëtitores me një vizion të ri, ku do të përfshihen porti turistik dhe shumë ndërthurje hapsirash dhe relaksi panoramike, gjithnjë për të shijuar detin.Ndërkohë, mbetjet inerte dhe gërmadhat që kanë mbetur pas nga prishjet në vijën bregdetare, aktualisht nuk po i japin një imazh fort të mirë qytetit, i cili pret me mijëra turistë në ditë gjatë sezonit veror.Megjithatë nëse projekti i ri do të shtrihet në gjatësinë e deklaruar, shumë shpejt pritet të ketë prishje të tjera edhe më të mëdha, kryesisht në zonën e Skelës, Portit dhe Plazhit të Vjeter, zona që deri më tani nuk janë prekur nga INUK.